Komisioni Europian ka njoftuar një seri masash që duhen ndërmarrë për t’u përgatitur për një valë të dytë të mundshme të koronavirusit.
Në krye të këtyre masave të njoftuara nga ekzekutivi i bllokut europian qëndron rritja e testimeve, gjurmimi i kontakteve si dhe përmirësimi i mbikëqyrjes dhe i qasjes në shërbimet shëndetësore. Komisioni gjithashtu i ka dhënë dritën jeshile ndërveprimit të aplikacioneve për gjurmimin e sëmundjes edhe përtej kufijve kombëtarë.
Në deklaratën e tij theksohet nevoja për t`u përballur në një mënyrë sa më te efektshme me vatrat e reja, për të mbështetur grupet më të cenueshme të popullsisë siç janë të moshuarit por sidomos edhe personat me sëmundje shoqëruese, si dhe për të reduktuar barrën e gripit sezonal përmes një vaksinimi me te shpejte ne mënyrë që të mos mbingarkohen sistemet shëndetësore, edhe kështu të vendosura përpara një sprove të rëndë.
“Tani dimë më shumë për virusin, por detyra jonë është të mbetemi vigjilentë dhe parandalues. Masat e paraqitura sot synojnë përgatitjen për shpërthime të mëtejshme të mundshme të Covid 19. Duke nxjerrë mësime nga muajt e kaluar, po e bëjmë planifikimin përpara me qëllimin të shtohet gatishmëria në të gjitha frontet”, deklaroi zv/presidenti I KE-së, Margaritis Schinas.
Top Channel