Në Hagë nisi intervistimi, për të dytën ditë me radhë, i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, nga Zyra e Prokurorisë së Specializuar.
Para se të hynte në objektin e Prokurorisë Speciale, Thaçi nuk u prononcua për media.
Të hënën, intervistimi i tij zgjati për më shumë se gjashtë orë.
Pas kësaj, Thaçi deklaroi se është biseduar për çështje teknike dhe sqaruese dhe se ka pasur interesim të prokurorëve për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Më 24 qershor, Zyra e Prokurorit të Specializuar ka njoftuar se më 24 prill ka paraqitur një aktakuzë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit kundër presidentit Thaçi, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publikë.
Përpara se të hynte të hënën në objektin e Prokurorisë Speciale për intervistim, Thaçi deklaroi se është i bindur se nga kjo sfidë do të dalë i suksesshëm, ndërsa aktakuzën për krime lufte e cilësoi si “çmim për lirinë”.
Thaçi më herët ka deklaruar se do të japë dorëheqje nga posti i presidentit, nëse aktakuza kundër tij konfirmohet.
Gjykatësi i procedurës paraprake ka maksimum gjashtë muaj kohë, nga muaji prill, për të konfirmuar ose hedhur poshtë aktakuzën.
Top Channel