Kosovë/ Qeveria miraton vendime për masa të reja të luftimit dhe parandalimit të COVID-19

13/07/2020 14:05

Qeveria e Republikës së Kosovës, me kërkesë të Kryeministrit Avdullah Hoti dhe në pajtim me Rregulloren e Punës së Qeverisë, ka mbajtur mbledhjen korresponduese, në të cilën ka shqyrtuar dhe miratuar vendime për masat që do të ndërmerren në funksion të luftimit dhe parandalimit të pandemisë COVID-19.

Vendimi i parë i miratuar në mbledhjen e sotme për ndërmarrjen e masave, me qëllim të parandalimit të përhapjes dhe kontrollit të infeksionit COVID-19 është për obligimin e të gjithë banorëve të Republikës së Kosovës që të bartin maskat për fytyrë në të gjitha aktivitetet jashtë shtëpive/banesave të tyre, si dhe të mbajnë distancë fizike prej 2m në ambiente të përbashkëta jashtë shtëpive/banesave të tyre. Vendimi obligon gjithashtu që të gjitha institucionet publike dhe private të mbajnë dezinfektues për duar dhe maska për fytyrë në vende të qasshme, në hyrje të objektit, të cilat mund të shfrytëzohen nga punëtorët e institucioneve dhe vizitorët.

Është miratuar edhe vendimi për ndërmarrjen e masave për qarkullimin e personave fizik jashtë shtëpive/banesave të tyre në komunat në: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë. Ndalesa fillon të zbatohet nga data 13 korrik 2020, duke filluar nga ora 21:00 deri në orën 05:00, ndalohet çfarëdo qarkullimi i personave fizik jashtë shtëpive/banesave të tyre në Komunat: Mitrovicë e Jugut, Gjilan, Fushë Kosovë dhe Shtërpcë. Përjashtim nga ky vendim janë rastet urgjente shëndetësore, nevoja për t’u kujdesur për të sëmurë dhe për persona me nevoja të veçanta, kërkimi i ndihmës nga institucione përkatëse në rastet e dhunës familjare, vdekja e anëtarit të familjes dhe përkujdesja ndaj kafshëve shtëpiake, por jo më larg se 500 metra nga banesa/shtëpia.

Me një vendim të miratuar sot nga Qeveria e Republikës së Kosovës është autorizuar Ministri i Shëndetësisë për plotësimin e Udhëzimit Administrativ për Kushtet për punë sa i përket hapësirës, kuadrit profesional dhe pajisjeve medicinale të institucioneve private dhe plotësimin e Udhëzimin Administrativ për Kushtet e përgjithshme dhe të veçanta spitalore, duke tejkaluar të gjitha procedurat që përcaktohen me Rregulloren e Punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Rregulloren për Shërbimin Ligjor Qeveritar. Plotësim ndryshimi i këtij akti nënligjor përfshin vetëm përcaktimin e kushteve/kritereve specifike për të kryer testime molekulare dhe serologjike për Covid -19.

Gjithmonë në funksion të masave për parandalimin dhe luftimin e infeksionit me COVID-19, Qeveria ka aprovuar edhe vendimin me të cilin obligohen të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, dhe Bosnje e Hercegovinës, që hyjnë në territorin e Republikës së Kosovës, duhet të dëshmojnë se nuk vuajnë nga COVID-19, me anë të vërtetimit që dëshmon testin RT-PCR negativ në Sars COV-2, jo më të vjetër se 72 orë nga koha kur paraqiten në kufirin e Republikës së Kosovës.

Përjashtimisht nga ky vendim, të gjithë qytetarët e këtyre vendeve, gjatë hyrjes përmes Aeroportit Ndërkombëtar “Adem Jashari” nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për test RT-PCR, por ata do të nënshkruajnë një deklaratë ku deklarohen se në afat prej 3 orëve do ta lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës. Edhe qytetarët e këtyre vendeve që shfrytëzojnë Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” për udhëtim në vendet e treta, nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për test RT- PCR.

Transportuesit që vijnë nga këto vende në Republikën e Kosovës, nuk kanë nevojë të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por janë të detyruar të respektojnë protokollet për transport ndërkombëtar. Edhe transporti i organizuar me autobusë ose linja te rregullta ndërkombëtare në transit nga këto vende, nuk duhet të prezantojnë vërtetimin për testin RT-PCR, por ata nënshkruajnë deklaratën me të cilën obligohen të lëshojnë territorin e Republikës së Kosovës brenda 5 orëve. Të liruar nga obligimi për prezantim të testit RT-PCR janë edhe diplomatët e huaj nga shtetet e lartë cekura që janë të akredituar në RKS, si edhe familjarët e tyre. Gjithashtu janë liruar nga prezantimi i testit RT-PCR të gjithë shtetasit e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnje e Hercegovinës, të cilët kanë edhe shtetësinë e Republikës së Kosovës, nëse kanë vendbanim në Kosovë.

Prezantimin e vërtetimit për test RT-PCR negativ gjatë hyrjes në Republikën e Kosovës, të bërë më së largu para 72 orësh,janë të obliguar ta bëjnë shtetasit e Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë dhe Hercegovinës që kanë të rregulluar leje qëndrimin e përkohshëm ose të përhershëm në Republikën e Kosovës dhe ata që kanë të caktuar termine për mjekim në institucione shëndetësore të RKS-së dhe bartësit e dokumenteve personale të lëshuara nga Republika e Kosovës mirëpo me adresë vendbanimi në njërin nga shtetet e cekura në këtë vendim

Në vazhdim të masave tjera të luftimit dhe parandalimit të COVID-19, Qeveria ka pezulluar veprimtarin e çerdheve publike dhe private; aktivitetet rekreative, kulturore dhe sportive të mbyllura në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Janë obliguar të gjitha qendrat tregtare në territorin e Republikës së Kosovës që veprimtarinë tregtare ta ushtrojnë prej orës 05:00 të mëngjesit deri në orën 21:00, duke zbatuar në përpikëri kushtet sipas Manualit për mbrojtje nga COVID-19, e mbi të gjitha mbajtjen e detyruar të maskave dhe krijimin e kushteve për distancë fizike të konsumatorëve.

Vendimi i miratuar nga Qeveria e Kosovës pezullon punën e tregjeve publike të automjeteve dhe tregjet e kafshëve, në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, pezullon ceremonitë fetare; si dhe ndalon grumbullimin e më shumë se 5 personave në sheshet publike, parqe dhe të ngjashme.

Të gjithë operatorët e shërbimeve komunale, financiare, elektronike dhe postare janë të obliguar që të ofrojnë shërbime me orar dhe staf minimal, ndërsa qytetarët mbi moshën 65 vjeç dhe ata me sëmundje kronike (diabet, hipertensioni arterial dhe sëmundje zemre, sëmundje kronike të mushkërive, pacientët më sëmundje të veshkave, pacientët me imunitet të suprimuar, pacientët onkologjikë etj.) mund të dalin jashtë në ambiente publike vetëm në orët e hershme të mëngjesit nga orës 05:00 deri në orën 10:00 dhe në orët e mbrëmjes nga ora 18:00 deri në orën 21:00.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA