Legjenda e muzikës rock Bon Jovi ka publikuar një këngë të re bamirësie të quajtur American Reckoning (Ndërgjegjësimi Amerikan) të frymëzuar nga vrasja tragjike e George Floyd më 25 maj nga katër policë të Minneapolis.

Lirikat e këngës i referohen fjalëve të fundit të 46-vjeçarit të ndjerë që thotë ‘nuk marr dot frymë’ pasi gjuri i policit i mëshoi mbi qafë për më shumë se tetë minuta gjatë arrestimit për një kartmonedhë fallco.

“Duke qëndruar i prangosur me fytyrë përtokë / Kalimtarët luteshin për mëshirë / Një polic largonte me shtyrje një fëmijë nga turma / Që kur gjyqtar është bërë distinktivi dhe gjuri në rrugët tona?”, thonë lirikat e këngës.

Vdekja e Floyd shkaktoi protesta në të gjithë botën dhe solli arrestimin e katër policëve përgjegjës për vrasje.

Këngëtari 58 vjeçar, fitues çmimesh Grammy dhe i nominuar për Oscar, tha: “U emocionova për të shkruar këngën ‘American Reckoning’ si një dëshmitar i historisë. Besoj se aftësia më e madhe e një artisti është të përdorë zërin e tij për të folur mbi çështjet që na emocionojnë”.

Deri në 31 dhjetor 100% e fitimeve nga shkarkimet e kënges do të shkojnë për organizatën amerikane të bamirësisë mbi reformën në drejtësi, të drejtuar nga Bryan Stevenson.
‘American Reckoning’ do të jetë pjesë gjithashtu e albumit të 15 të Bon Jovi “Bon Jovi: 2020” i cili do të publikohet më 31 dhjetor.

FOTO GALERI
4/7
Vdekja e Floyd shkaktoi protesta në të gjithë botën dhe solli arrestimin e katër policëve përgjegjës

Top Channel