Joe Biden bëri komente ditët e fundit kur po vizitonte një punishte metali në Pensilvani, disa kilometra larg shtëpisë së tij të fëmijërisë. Ai u zotua gjatë vizitës se presidenca e tij do të përkufizohej nga një axhendë e gjerë ekonomike, më e madhe se çdo axhendë që kanë parë amerikanët që nga Depresioni i Madh dhe mobilizimi industrial për Luftën II Botërore.
Zoti Biden, i cili pritet të marrë emërimin e Partisë Demokrate si kandidat në zgjedhjet presidenciale, premton se kjo përpjekje do të trajtonte jo vetëm recesionin e krijuar nga pandemia, por edhe racizmin dhe padrejtësitë e mishëruara në sistem me “një ekonomi të re amerikane” që “më në fund dhe në mënyrë të plotë do të përmbushë vlerat e dokumenteve që themeluan Shtetet e Bashkuara, se të gjithë jemi krijuar të barabartë”.
Ishte një mesazh i habitshëm nga zoti Biden, një figurë politike që njihet më tepër si politikan që ka arritur të sigurojë marrëveshje e kompromise të shumta në Uashington, se sa një reformator me vizion. Por duket qartë se ai është i gatshëm të vërë në provë forcën e populizmit liberal për të krijuar një koalicion që do ta ndihmonte për të fituar në nëntor përballë Presidentit Trump.
Zoti Trump dhe aleatët e tij republikanë argumentojnë se pozicionimi i demokratit Biden, sidomos bashkëpunimi me progresistët, dëshmojnë se ai është nën diktatin e krahut të majtë “radikal”. Aktivistët të cilët mbështetën në zgjedhjet partiake Bernie Sanders apo Elizabeth Warren nga ana e tyre e pritën pozitivisht, megjithëse me rezerva deklaratën e zotit Biden. Ata shprehen se nuk janë krejt të bindur që zoti Biden do të jetë në gjendje të vërë në jetë premtimet e tij dhe shtojnë se propozimet e pretendentit demokrat për tema si ndryshimet klimatike dhe reforma në drejtësinë penale ende nuk janë të nivelit të dëshiruar.
Rrethi i ngushtë i zotit Biden këmbëngul se ai po i përmbahet të njëjtës platformë si në 1972 kur u zgjodh për herë të parë në Senat, me parullën: Gati për Momentin. “Ai është gjithmonë i angazhuar,” thotë Ted Kaufman, këshilltar i vjetër i zotit Biden. “Prej afro 50 vjetësh në karrierën e tij ai ka mbetur konsistent: nuk premton gjëra që nuk mendon se mund t’i realizojë”.
Zoti Kaufman, i cili u zgjodh në Senat në vendin e zotit Biden kur ai mori detyrën e nënpresidentit, thotë se Joe Biden nuk ka ndryshuar në boshtin e tij: “demokrat progresist,” një politikan që lufton për politika që ndihmojnë si klasën punëtore, ashtu edhe biznesin, një përkrahës i vazhdueshëm i të drejtave civile, i cili beson në rolin e qeverisë dhe të sektorit privat. Ajo që ka ndryshuar në 2020, thotë ai, janë rrethanat në Amerikë: krizë e shëndetit publik, papunësi në nivele rekord, përballje kombëtare me racizmin dhe ndryshime në mënyrën si po udhëhiqet vendi.
“Nëse do që të ketë ndryshime, inkurajoje ndryshimin. Historia dhe fushatat e ndryshme zgjedhore na kanë mësuar se duhet të ofrosh një program ku çdo propozim të jetë i qartë për të gjithë,” thotë zoti Kaufman. Evolimi i zotit Biden si politikan është dukur qartë që në fillim të fushatës kur u vërejt se ai po anon nga e majta si në stil, ashtu edhe në përmbajtje, megjithëse përpiqet të ruajë tonin e pragmatistit. Në fillim të fushatës partiake, zoti Biden shihej si kandidati i moderuar në radhët e pretendentëve të tjerë demokratë, sidomos krahasuar me Sanders dhe Warren dhe thirrjet e tyre për ndryshime të mëdha strukturore.
Ish-nënpresidenti Biden iu përgjigj thirrjeve të tyre për një program sigurimesh shëndetësore të financuara nga shteti me propozimin për një plan shtetëror që konkurron paralelisht me një plan sigurimesh private. Progresistët kërkojnë arsim të lartë falas; zoti Biden ofron subvencione për shkollimin universitar dy-vjeçar. Ish-nënpresidenti e ka cilësuar ngrohjen klimatike “një kërcënim ekzistencial” dhe ka ofruar një plan për energji të pastër me kosto prej 1 trilion dollarësh, por nuk ka përqafuar versionin e Marrëveshjes së Gjelbër që kanë paraqitur progresistët. Ai është zotuar të vërë taksa të rënda mbi korporatat dhe investitorët në bursë por ka dalë kundër idesë për një “taksë pasurie” mbi zotërimet individuale.
Ish-nënpresidenti Biden vuri në dukje se propozimi i tij për kujdes shëndetësor është më i majtë se propozimi i zonjës Clinton në fushatën e 2016-tës, madje më liberal edhe se plani i Presidentit Obama. Lidhur me tensionet racore, edhe para protestave të fundit, zoti Biden ka folur për probleme të sistemit, që nuk përmbushin për popullatën me ngjyrë “premtimin” e Deklaratës së Pavarësisë. Por edhe zoti Biden ballafaqohet me rezistencë nga krahu progresist i Partisë Demokrate që i kushtuan zonjës Clinton zgjedhjet e 2016-tës. Prej tre muajsh ai po përpiqet të rrisë përkrahjen në kahun e majtë.
Zoti Biden dhe zoti Sanders krijuan grupe pune për të shkruar rekomandime për platformën zgjedhore të 2020. Këto grupe pune nxorën të mërkurën një plan me 120 faqe. Në to zoti Bide nuk del në mbështetje të një plani të vetëm për sigurimet shëndetësore, po ashtu nuk zotohet për elimimin e gjurmës karbonike nga aktiviteti ekonomik brenda afatit më të shkurtër, por ofron propozime më progresiste se pararendësit e tij.
Progresistët janë zotuar se do të vazhdojnë presionin: “Detyra jonë është që ta shtyjmë, t’i qëndojmë në kokë,” thotë ligjvënësja nga Uashingtoni Pramila Jayapal, e cila kryesoi grupin e punës Biden-Sanders për kujdesin shëndetësor. Po ashtu, Varshini Prakash me lëvizjen “Sunrise Movement”, një grup i fuqishëm ambjentalist, zotohet se aktivistë si ajo nuk kanë për të hequr dorë nga thirrjet për Marrëveshjen e Gjelbër. Por ajo vlerëson zotimin e zotit Biden për të rritur investimet publike në sektorin energjetik gjatë kësaj periudhe stimulimesh në përgjigje të pandemisë.
Joe Biden ka arritur të ruajë unitetin partiak që nuk u arrit katër vjet më parë. “Nuk i konsideroj propozimet e zotit Biden si tentativë për të zbutur progresistët; më tepër ato janë reagime ndaj momentit ku ndodhet vendi,” thotë Adam Green, bashkëthemelues i Fushatës për Nryshime Progresiste dhe aleat i zonjës Warren. Ish-nënpresidenti po ashtu ka siguruar mbështetje nga figura e organizata të fuqishme dhe ka tërhequr në fushatë për të disa nga ish-rivalët e tij demokratë, të cilët kanë mbajtur fjalime në mbështetje të kandidaturës së tij.
Presidenti Trump e akuzon zotin Biden se “po kopjon” populizmin e tij ekonomik, por nga ana tjetër e sulmon rivalin demokrat si majtist që nuk do të arrijë të fitojë. “Plani i tij është nga e majta radikale, por ai thotë slloganet e duhura pasi po më kopjon mua,” tha Presidenti Trump të premten, para se të nisej për në Florida. Zoti Kaufman tha se Joe Biden do të vazhdojë fushatën pa u shpërqëndruar nga komentet e presidentit. “Ai ka mbijetuar për kaq vjet në politikë pasi nuk merret me sulme të tilla,” tha zoti Kaufman./VOA
Top Channel