“Horrori vazhdon!”/ Fotografi, kartëvizita, shënime në bllok… Provat që u gjetën në “shtëpinë e ferrit” dhe askush nuk i mori parasysh

10/07/2020 14:53

Nga Anila Hoxha

Mendoni pak një njeri që ju as nuk e njihni, por dini që ai ka humbur dy të afërme në një akt vetëflijimi ende të panjohur se nga çfarë u shtynë.

Në këtë tragjedi ai ndërkohë shpreson që e mbijetuara Blerta të kthehet mendërisht dhe fizikisht. Ky njeri së bashku me të tjerët, pasi humbi Anisën dhe Zhanetën, i drejtohet sërish autoriteteve. Veç dhimbjes , ai është i ngarkuar me një pako plot me prova që autoritetet, pra edhe policia edhe prokuroria nuk i morën të plota nga tmerri që panë e kaluan në banesën e familjes Josifi. Nga neglizhenca. Ose sido që të quhet është e pafalshme.

Prova që duhet të ishte marrë seriozisht , nëse shteti shqiptar ka ndërmend të hetojë seriozisht nëse ka apo jo sekte që influencojnë në mendjen e qytetarëve dhe i deformojnë derisa shkojnë tek thrilleri. Prova që administrohen një javë me vonesë dhe kur ndërkohë java iku me burokracira, asnjë i pyetur, asnjë veprim hetimor, asnjë kontroll kamerash edhe pse qytetaret vazhdojnë të më shkruajnë në facebook duke me vënë në dijeni “Zhani shpërndante fletushka deri në fund të 2018 pranë Unazës së Re…Zhanin e kemi parë tek Selvia… “. E të tjera…

Dua të di çfarë veprimesh konkrete ka kryer policia veç kqyrjes së banesës? Zero veprime. Çfarë veprimesh ka kryer prokurori? Zero veprim! Asnjë kërkesë për përgjim, asnjë kontroll sallash të dyshimta … Zero, zero, zero!

A nuk do quhej e rëndësishme për hetimin broshura që e vetëdorëzoi vetë i afërmi, ku gratë mësohen si të parandalojnë sëmundjet e të vetë mjekohen?
A nuk do ishte po aq i rëndësishëm emri Cinztanza …..nga Holanda bashkangjitur dhe numri i saj i telefonit?

A nuk do ishte i rëndësishëm fotografia e Anisës së bashku me gjashtë persona të paidentifikuar?

Blloku i shënimeve ‘Për Blertën nga ANI”?

Po kartëvizita e një E.C, i cili është lider shpirtëror në një vend kulti në Tiranë? Shënimet Jeharah Shammah Zoti im?

Po copat e letrave të shkruara me laps si për shembull: “Prit është Refia në banjë… ma hapma derën kur të mundesh ose e hap unë vetëm më thuaj…hapma çezmën… hajde….më duhet të rrish edhe një orë aty se këta tek Teoja janë aty… ?”

Ka një sërë gjurmësh që gratë e vdekura dhe e mbijetuara kanë lënë. Sot mbush një javë nga zbulimi i këtij horrori dhe ende nuk ka asnjë emër.

Paaftësi për institucionet kur familja vazhdon të dorëzojë prova dhe ne ende nuk e dimë si quhet ky sekt që të çmend dhe të vret.

Vazhdoni flini, me atë gjumin që duhet t’ju ishte prishur para shumë vitesh kur fëmijë e adoleshentë i jepnin fund jetës dhe kur shumë të tjerë ndërronin jetë në duar mjekësh pasi nuk pranonin ndihmë.

Çfarë duhet të ndodhë ende?

Top Channel