Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar zëvendëskryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Denar Biba.
Gjatë fjalës së tij Biba tha se, e shikon relativisht të vështirë realizimin e votës së emigrantëve në zgjedhjet e ardhshme. Kjo për disa arsye, ndër të cilat renditi: 1. Pushimet e muajit të verës në parlament dhe rikthimi i tyre në shtator dhe 2. Riformatimi i strukturave të KQZ-së. Ndërsa shtoi se nëse vota e emigrantëve miratohet dhe vendoset në veprim ajo do të arrihet përmes postës.
Denar Biba: Partia Socialiste e ka pasur një premtim të saj elektoral ndryshe nga Partia Demokratike votën e emigrantëve. Dhe praktikisht në një mënyrë dhe një tjetër po e realizon. Unë personalisht e shikoj relativisht të vështirë, ndërkohë ditët ikin dhe po vijnë dhe pushimet e verës, do të mbyllet parlamenti për këtë sesion. Kur të fillojë në shtator, KQZ-ja e re ende -duke qenë se Kodi Zgjedhor do të sjellë një tjetër KQZ, ende nuk janë zgjedhur anëtarët e saj. Në të gjithë këtë problematikë, mungese kohe, unë e shoh të vështirë që KQZ-ja e ardhshme të rrijë t’ia dali, ta mundësojë për këto zgjedhje votën e emigrantëve. Nga ana tjetër i është lënë asaj, Komisionit Qendror të ri të Zgjedhjeve, që ta adoptojë edhe mënyrën sesi do ta thithi këtë vullnet të qytetarëve shqiptar që jetojnë jashtë atdheut, që mesa duket do të jetë përmes postës.
Denis Dyrnjaja: Ju thoni është relativisht e vështirë, unë gati gati e përkthej sikur nuk do të ndodhi.
Denar Biba: Mua nuk më takon ta them që nuk do të ndodhi. Mua më takon të them që është e vështirë, duke pasur parasysh që koha është e limituar dhe KQZ-ja e re nuk është ngritur ende dhe nuk e dimë se kush do të jenë anëtarët e rinj, çfarë eksperience do të kenë.
Top Channel