Astrit Patozi në “Top Talk”: Do ta përshëndes Ramën nëse hap listat, Basha do veten dhe partinë më shumë se Shqipërinë

08/07/2020 18:47

Në studion e emisionit “Top Talk”, drejtuar nga gazetari Denis Dyrnjaja, ishte i ftuar kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi.

Gjatë fjalës së tij, Patozi foli mbi implementimin e listave të hapura dhe shtoi se nëse Edi Rama e miraton një gjë të tillë do të ketë gjithë dashamirësinë e tij, në të kundërt, ai do të jetë bashkëfajtor së bashku me Lulzim Bashën.

Ndër të tjera, Patozi tha se Basha dëshiron të mirën e partisë që drejton sesa të Shqipërisë dhe këtë e ilustroi me një shembull.

“Thotë unë kam marr përsipër të pastroj qytetin, unë nuk pastroj qytetin, por pastroj oborrin e shtëpisë sime. Me shtëpinë tënde bëj çfarë të duash, por shiko dhe qytetin”, tha Patozi.

“Ajo që ka rëndësi është publiku. Dhe publiku në të gjitha sondazhet, del që e ka përqafuar idenë e ndryshimit, e kërkon këtë gjë dhe sondazhet janë nga 70% deri në 98%. Kjo është një tendencë, e cila duhet lexuar dhe duhet marrë parasysh. Dhe këtë duhet ta kenë parasysh jo vetëm kryeministri, po çdo parti politike që ka një rol për të luajtur në procesin e këtij sondazhi. Ajo që unë lexoj është që Edi Rama nuk është e vërtet që dëshiron ta bëjë atë. Edi Rama kam përshtypjen, që nuk e ka ndarë ende mendjen çfarë duhet të bëjë, të ndjekë tendencën e publikut, e cila mund t’i shkaktojë ndonjë problem të vogël brenda autoritetit të tij në Partinë Socialiste, apo më gjerë se sa kaq. Apo thjesht të ruajë dakordësinë me Lulzim Bashën dhe duke pasur një lloj kimizmi që ato kanë me njëri-tjetrin, për shkak se kanë bërë edhe marrëveshje të tjera më përpara. Rama kam përshtypjen se është në dilemë dhe ende nuk e ka ndarë çfarë do të bëjë, por do të jetë përgjegjësi e tij çfarëdo përgjigje që do të ketë më datë 30 korrik. Më 30 korrik, ne do të marrim vesh qëndrimin e Edi Ramës, sepse në të dyja rastet është ai përgjegjësi. Unë do të doja shumë që Edi Rama, megjithëse është kundërshtari im politik, të përqafonte tendencën e publikut, sepse i bën mirë Shqipërisë. Unë kam përshtypjen që interesin personal, apo interesin privat e ka duke ruajtur kimizmin me Lulzim Bashën. Edi Rama ka dy rrugë, ose do të ndjekë tendencën duke marrë përsipër edhe faktin që ai e zgjidhi dhe sigurisht i takon merita kryesore. Në rast të kundërt ai do të marri bashkëfajësinë me Lulzim Bashën, për ruajtjen e statuskuosë. Unë mendoj që ai është në dilemë dhe ende se a marrë vendimin”, u shpreh Patozi.

Më tej ai shtoi:

“E gjithë kjo gjë bëhet për hallin e Partisë Demokratike që ka aktualisht. Partia Demokratike nuk ka hall as me listat e hapura dhe as me koalicionin, Partia Demokratike dëshiron ruajtjen e statuskuosë, sepse mendon që gjëja më e rëndësishme në zgjedhje është koncepti i Stalinit, që më rëndësi ka ai që numëron sesa ai që voton. Megjithëse kundërshtari politik do të ketë dy nga çunat problematikë tek kutia e votimit, këta janë shumë të lumtur që do të kenë edhe këta nga një, LSI dhe PD. PD ka dhe këtë problem, hapja e listës e zbeh pushtetin dhe autoritetin e kryetarit të partisë dhe nuk e dëshiron këtë gjë. PD është shumë e qartë, është e sinqertë në këtë gjë, por puna është ne do të qajmë hallin e PD-së tani, sepse PD është një subjekt elektoral, pavarësisht që është forca kryesore e opozitë. Para tre vitesh, Partia Demokratike bashkë me Partinë Socialiste i hoqën koalicionet duke shkelur kushtetutën dhe ligjin zgjedhor. Pra megjithëse kushtetuta nuk i lejonte ata i shkelën. Çfarë problemi kam unë me Partinë Demokratike. Partia Demokratike mori përsipër që të hapte listat për Shqipërinë sepse kështu u deklarua që para tre vitesh edhe njerëzit këtë prisnin, populli opozitar këtë priste. Partia Demokratike nuk e bëri dhe ç’a bëri? Thotë unë kam marr përsipër të pastroj qytetin, unë nuk pastroj qytetin, por pastroj oborrin e shtëpisë time. Me shtëpinë tënde bëj çfarë të duash por shiko dhe qytetin. Ne na dogji, Shqipërinë e privoi nga një gjë e drejtë dhe e dobishme dhe thotë që unë po hap, por unë këtë hapjen e tyre nuk e besoj. Po unë qofsha subjektiv ndoshta për arsye personale, mua nuk më pëlqen etj. Nuk ka rëndësi për Shqipërinë hapja, hapje për një parti politike apo mbyllja është çështje e tyre. Ne na duhet të hapet e gjithë Shqipëria, pra që njerëzit të votojnë për atë që duhet, të ndryshojë qeverisja e vendit dhe të mos bëjmë rregulla loje për një lojtar, dy lojtar apo pesë lojtar që mund të kenë interesa momentale. Ne duam rregulla të barabarta për të gjithë, që në finale të vendosi zgjedhësi shqiptar kujt dëshiron apo jo t’ia japë votën”.

Top Channel