Fëmijëria është një nga periudhat më kritike në jetën e njeriut. Pikërisht në këtë kohë, ushqyerja luan një rol thelbësor për shëndetin e njeriut në të ardhmen. Në moshë të re, truri është tërësisht në varësi të ushqimeve. Një prej ushqyesve më të rëndësishëm janë acidet yndyrore omega-3.
Këto acide kanë një ndikim të jashtëzakonshëm jo vetëm në humorin dhe gjendjen shpirtërore të fëmijës por edhe performancës në shkollë.
Vaji i Peshkut dhe Acidet Yndyrore Omega-3?
Acidet yndyrore janë përbërës të imët molekularë që gjenden në të gjitha yndyrnat. Megjithatë, lloji dhe struktura e tyre varion nga ushqimet. Omega-3 është një lloj acidi yndyror që gjendet tek peshku dhe disa fara. Po ashtu Omega 3 merret edhe nga vaji i peshkut që gjendet në farmaci. Sipas të dhënave, vlerat shëndetësore të këtij lloji të acidit yndyror janë të mëdha.
Ndër të tjera veçohet aftësia për të përmirësuar shëndetin mendor të fëmijës. Trupi i njeriut nuk e prodhon dot këtë acid yndyror dhe e merr atë vetëm nëpërmjet ushqimit. Acidet yndyrore kanë tre burime të ndryshme: bimore, ujore dhe shtazore. Trupi arrin të përpunojë siç duhet vetëm acidin yndyror me bazë ujore, pra nga peshqit dhe më pak nga bimët.
Përse Është I Rëndësishëm Omega-3 Për Trurin?
Acidi yndyror Omega-3 është thelbësor për rritjen normale të trurit, veçanërisht në periudha kritike siç është fëmijëria. Ky acid ndihmon në rritjen e neuroneve dhe formon lidhje të forta të tyre në tru.
Omega-3 mbështet edhe sistemin kardiovaskular, tretës dhe endokrinal, sipas studimeve. Studimet shkencore konfirmojnë se suplementet e vajit të peshkut (një burim i shkëlqyer i Omega-3) përmirëson ndjeshëm aftësitë mendore të fëmijëve. Në vetëm tre muaj nga marrja e suplementëve të vajit të peshkut, fëmijët janë në gjendje të mesojnë, lexojnë dhe shkruajnë më mirë. Ky acid yndyror ndihmon edhe fëmijët që vuajnë nga mungesa e vëmendjes.
Sipas studimeve, acidi yndyror Omega-3 përmirëson aftësitë sociale dhe emocionale të fëmijëve. Shkencëtarët thonë se është shumë e rëndësishme që një grua shtatzënë të marrë mjaftueshëm acide yndyrore që të ndihmojë arkitekturën e trurit të fetusit. Shpesh keni dëgjuar që vaji i peshkut nuk rekomandohet të merret gjatë muajve të ngrohtë. Studimet tregojnë se kjo është e pavërtetë, e mbetur nga koha kur vaji i peshkut nuk ruhej në freski. Vaji i peshkut nëse nuk ruhet siç duhet oksidohet. Por nëse ai ruhet në kushte të përshtatshme në frigorifer, Organizatat e Shëndetit e rekomandon atë të merret edhe gjatë muajve të ngrohtë, mbase në sasi pak më të reduktuara. Madje gjatë verës është e rekomandueshme të konsumohet edhe më shumë peshk, pasi organizmi e pranon dhe e përvetëson më mirë.
Ushqimet Më Të Pasura Me Omega-3
Peshqit konsiderohen burimet më të pasura natyrale të acideve yndyrore, bashkë me disa lloje arrorësh dhe farash.
Burimet më të mira janë:
Peshku ton (i egër)
Skumbria
Salmoni
Sardelet
Trofta
Farat e linit
Ekspertët rekomandojnë që fëmijët të ushqehen rregullisht me ushqimet e lartpërmendura. Sasia e saktë e vaji të peshkut për fëmijët mund të përcaktohet nga një mjek ose farmacisti. Gjithësesi është e rëndësishme që fëmijët dhe të rriturit të shfrytëzojnë burimet natyrale të acideve yndyrore përpara se të marrin suplementë./AgroWeb.
Top Channel