30 vjetori i “ambasadave”/ “Si e shemba murin e Ambasadës Gjermane me kamion”

02/07/2020 19:59

Si sot, 30 vjet më parë, nisi eksodi në Ambasada. Mijëra shqiptarë hynë nëpër ambasadat e huaja, në mënyra nga më të ndryshmet, duke shënuar nisjen e ndryshimeve të mëdha politiko-historike, në Shqipërinë komuniste.

Ylli Bodinaku ishte shqiptari i parë që hyri në Ambasadën Gjermane. Hipur në kamionin e tij “Saurrel”, ai goditi dhe shembi murin e ambasadës.

“Isha 37 vjeç, punoja shofer në park. Mora Saurrelin nga ora 7 e darkës. Hipa në të gruan dhe dy djemtë, njëri 12 vjeç dhe tjetri 3 muajsh. Mora një qingj dhe rroba. E lirova sediljen, që mos të goditësha fort gjatë përplasjes. Murin e pamë nja dy orë më parë me një shok dhe morëm masat.

Në kamion hipën edhe te tjerë. U bëmë 40 vetë gjithsej. Një polic tek ambasada qëlloi drejt nesh me armë. Unë e shmanga me makinë. U çava në krah dhe na mjekuan në ambasadë. Ndenjëm 10 ditë atje. U bëmë rreth 3200 vetë brenda në ambasadë.

Ujin na e prenë autoritetet shqiptare. Buka blihej në Kavajë e Durrës. Ne na quanin “heronj” brenda në ambasadë.

Pas 10 ditësh, me autobusë, u nisëm për Gjermani. Ne shkuam në Manheim. Punova 3 vjet në një ofiçinë të Bencit.

U ktheva pas 3 vjetësh në Shqipëri. Jam bërë pishman.
Djali i vogël do te iki jashtë. Unë i them “Ik”.

Edhe pas 30 vjetësh ne nuk jetojmë dot si njerëz. Ke akoma frikë për jetën. Ju të medias e dini shumë mirë, sepse raportoni ngjarje të rënda çdo ditë. U ktheva, se guri i rëndë në vend të vet, por edhe sot do bëja të njëjtën gjë si para 30 vitesh”.

Top Channel