30 vjet nga “Eksodi i ambasadave”, Tirana përkujton me një monument artistik ditën kur shqiptarët mposhtën frikën dhe zgjodhën lirinë në perëndim

02/07/2020 14:10

30 vite më parë, Tirana do të printe fillimin e ndryshimeve demokratike, kur shqiptarët mposhtën frikën dhe zgjodhën lirinë në perëndim.

Për të përkujtuar këtë ngjarje të shënuar, skulptori Agim Rada ka përjetësuar në një vepër të tij në Rrugën e Ambasadave, 2 korrikun e 1990, kushtuar pikërisht atyre që  grisën guximshëm perden e hekurt të regjimit komunist dhe rendën drejt lirisë evropiane.

Gjatë ceremonisë së organizuar me këtë rast, kreu i Bashkisë së Tiranes, Erion Veliaj tha se shumë prej atyre që në ato momente të vështira rrezikuan jetën për liri, sot janë sipërmarrës të suksesshëm në vendet ku jetojnë. “Me këtë monument përkujtojmë shprehjen për liri, por edhe vuajtjet e përjetuara në komunizëm. Më kujtohet shprehja e Dostojevskit, një shprehje ironike: “A jam unë i denjë për gjithë këto vuajtje që po kaloj?” Shumë prej nesh, sidomos gjenerata e prindërve tanë dhe ata që kanë bërë burg politik, me gjasë kanë pyetur veten si Dostojevksi: A i meritojmë t’i heqim mbi kurriz të gjithë këto? Unë besoj se ajo ditë e bekuar, kalimi i atij pragu, ishin një lloj konfirmimi që po, ndoshta vuajtjet na bënë më të denjë për të kërkuar një aspiratë më të madhe, për të qenë dinjitozë e fisnikë, ku sot jemi shumë krenarë për të gjithë ata shqiptarë të suksesshëm që janë integruar, që janë bërë sipërmarrës dhe punëdhënës të valës së re të emigrantëve që vijnë nga rajoni ynë”, tha Veliaj.

Ai nënvizoi se vetëm duke përkujtuar të shkuarën, shoqëria jonë mund të ndërtojë një të ardhme më të mirë. “Kjo vepër e Gim Radës dhe ky bashkëpunim mes ministrit të Diasporës dhe Ambasadorit gjerman do të jetë një kujtesë e përditshme e atyre kujtimeve, e episodeve, rrëfimeve dhe unë besoj se nëse do kemi një të ardhme si komb, do jetë duke kujtuar ato gjëra që kanë ndodhur për të ndërtuar një histori shumë herë më të mirë se ajo që kaloi”, theksoi Veliaj.

Vetë skulptori Rada risolli edhe përjetimet personale të ngjarjeve të atyre ditëve ku ai ishte dëshmitar, ndërsa i bëri një apel ambasadorëve të pranishëm që të ndihmojnë Shqipërinë në rrugëtimin e saj drejt familjes evropiane. “Ne jetuam një absurd, që nuk e besoj se ka qenë i ngjashëm me absurd tjetër në botë. I ftoj dhe i lus si skulptor dhe si artist, meqë këtu janë ambasadorët, bëni pak më shumë për Shqipërinë, bëni pak më shumë që edhe ne të jemi krah jush. Loboni në vendet tuaja dhe ne do ju jemi mirënjohës siç ju jemi deri më sot”, tha Rada.

FOTO GALERI
4/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA