Megjithëse një ditë më parë zëdhënësi i qeverisë greke Stelios Petsas ka komunikuar se do të hapen në 1 korrik kufijtë me Shqipërinë , Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë e Turqinë në kuadrin e lehtësimit të masave kundër pandemisë, pasditen e së martës ai ka dalë me një komunikatë të rë sqaruese për personat që do të lejohen të hyjnë në tokën greke.

Kryesisht sa i përket Shqipërisë, si vend i tretë, vërtet që dy pikat kufitare të Kapshticës dhe Kakavijës do të hapen prej 1 korrikut, por përsëri do të lejohen vetëm ata persona që kanë arsye të veçanta pune ose shëndeti. Në mënyrë konkrete siç thuhet në deklaratën përkatëse të qeverisë greke pas konsultimeve në nivelin e BE-së, nga 1 korriku 2020 mundësia e hyrjes në Greqi për të gjithë banorët e përhershëm të vendeve anëtare vazhdon normalisht.

Ekziston gjithashtu mundësia e hyrjes për ata shtetas të vendit të tretë që kanë leje qëndrimi në Greqi, për anëtarët e një familje ku kryefamiljari është qytetar evropian, për punonjës në sektorin e shëndëtsisë dhe studiues, kujdestarë të të moshuarve, punonjës të kufirit, punëtorët sezonalë në bujqësi, personeli i punësuar në sektorin e transportit,- përfshirë marinarët, personeli diplomatik, personeli i organizatave ndërkombëtare, personeli ushtarak si dhe ato që punojnë tek organiztata e ndihmave humanitare.

Gjithashtu do të lejohen edhe punonjës të transporteve, pasagjerë që udhëtojnë për arsye familjare, studentë, nënpunës të specialiteteve të veçanta ku punësimi i tyre është i dobishëm për ekonominë kombëtare dhe puna e tyre nuk mund të shtyhet ose kryhet nga distanca. Padyshim që ata që kanë një pasaportë greke ose Kartën Speciale të Identitetit (EDTO) janë gjithmonë të mirëpritur nga kudo qe ata vijnë, vazhdon deklarata.

Lista me 14 vendet jashtë BE-së që publikoi Brukseli orët e fundit do të azhurnohet çdo dy javë. Sa ju perket shtetasve të vendeve të treta, pra edhe atyre shqiptare, për të vërtetuar vendbanimin e tyre, mund të paraqesin lejen e tyre të qëndrimit, lejen e punës, kartën e identitetit, patentën e shoferit ose dokumente të tjera.

Top Channel