Agjensia Shteterore Kadastres Librazhd  “falsifikon” hartën treguese të pronës, bashkia Prrenjas i jep leje ndërtimi

30/06/2020 21:37

Në fund të mandatit të saj, ish kryetaria e Bashkisë Prrenjas  Miranda Rira ka miratuar një leje ndërtimi, harta e së cilës ishte e falsifikuar. Leja e ndërtimit është dhënë për një godinë tre katëshe, në mes të pallateve, mbi ish strehimet e dikurshme. Banorët përreth e kanë kundërshtuar që në fillim këtë ndërtim por bashkia është justifikuar me faktin se leja është dhënë mbi pronë private. Ndërkohë, harta treguese është “falsifikuar” në kadastrën e Librazhdit, dhe nga gjerësia 5 m është bërë 9 m.

Duke e shtrirë kështu ndërtimin në pronë publike. Ky fakt ka qëndruar deri në momentin kur banorët kërkuan pranë kadastrës një informacion mbi pasurinë dhe u zbulua se harta e parë ishte dhënë në kundërshtim me të dhënat faktike të pasurisë. Bashkia ka pezulluar punimet edhe po bën verfikime. Por këto verfikime Fiksi i bëri për 24 orë, pasi edhe vet kadastra e pranoi që harta që ka dalë nga institucioni i saj një vit më parë është dhënë gabim dhe është nul. Por nuk tregon se kush e ka deformuar hartën, apo kush mban përgjegjësi edhe pse në fund të saj është hartografi dhe është e miratuar nga ish përgjegjësi që sot nuk është më në punë.

Banorët e pallateve në lagjen 1 Maji në Prrenjas ankohen në Fiks Fare se nga bashkia është dhënë një leje në kundërshtim me ligjin me një hartë të falsifikuar. Ata kanë më shumë se një vit që ankohen por asnjëri nuk i ka marrë parasysh ankesat e tyre. I janë drejtuar disa herë bashkisë, por ka vajtur në vesh të shurdhër. Së fundi ata kanë siguruar një dokument që sipas tyte vërteton që leja ndërtimit është dhënë mbi një hartë treguese të falsifikuar. Ata thonë se ndërtimi që do të bëhet në mes të pallateve do t’i zërë  dritën dhe vendin ku luajnë fëmijët. Sipas tyre bashkia duhet të bëjë një lulishte ku të luajnë fëmijët dhe jo pallat.

Fiks Fare intervistoi edhe  specialisten e Urbanistikës së Bashkisë Prrenjas, Merita Pali. Ajo thotë që dokumenti që ata disponojnë dhe që kanë banorët, tregon se prona mbi të cilën është dhënë leja e ndërtimit është ndryshe nga harta treguese mbi të cilën është dhënë leja e ndërtimit. Më konkretisht është zgjeruar me 4 m më shumë. Duke mos lëvizur sipërfaqen, por ndryshuar gjerësinë dhe gjatësinë. Nëse do të ndërtohet në këto përmasa atëherë i bie që 4 metrat e gjerësisë do të jetë tokë shtet, pronë e bashkisë dhe jo private. Për momentin ky ndërtim është  pezulluar do të bëhen verfikime.

Fiks Fare u interesua edhe pranë  Agjensisë Shtetërore të Kadastrës nga ku ka dalë edhe harta treguese që mendohet se ështe e falsifikuar. Fillimisht përgjegjësi i zyrës Rigels Bita, la në pritje gazetarët për rreth dy orë me justifikimin se po verfikonte hartat dhe se në fund të do të jepte një intervistë. Por pas dy orësh, punonjësja e rezepsionit i tha gazetarëve se duhet të bënin një kërkesë me shkrim, pasi drejtori nuk do dilte për intervsitë. Brenda 24 orësh vjen përgjigja ku thuhet se harta mbi të cilën është dhënë leja e ndërtimit dhe ka dalë nga zyra e kadastrës është dhënë gabim dhe është nul.

Në përgjigjen me shkrim, drejtori aktual Rigels Bita, cilëson se të dyja hartat kanë dalë me numër protokolli nga Insitucioni i kadastrës. Harta mbi të cilën është marrë leja e ndërtimit, dhe që shoqëronte certifikatën e pronësisë është konstatuar se është e gabuar dhe kjo hartë është nul. Ky dokument, ku pasuria rezulton të jetë 9 metra e gjerë, dhe jo 5 metra sa është në realitet, sipas përgjegjësit të zyrës është anulluar dhe konfiguracioni i pronës është kthyer në origjinë.

Aktualisht pritet vendimi i Bashkisë Prrenjas për lejen e ndërtimit, pasi sipas hartës së origjinës nëse do të vijohet me ndërtimin atëherë do të ndërtohet mbi tokë shtet, pronë e bashkisë dhe jo private. Gjithashtu nga Drejtoria e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës  është ngritur një grup auditi për të hetuar këtë “gabim” apo ndryshim të hartës treguese.

 

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA