“Urgjentisht një reflektim serioz”/ Covid-19, Meta: Nevojitet një strategji konkrete afatgjatë

29/06/2020 10:11

“Ritmet shqetësuese të shtimit të rasteve të qytetarëve të prekur nga COVID-19, veçanërisht të numrit të viktimave, krahasuar me periudhën e fillimit të pandemisë dhe të karantinës, kërkojnë urgjentisht një reflektim serioz, të përgjegjshëm dhe transparent”, shkroi presidenti Ilir Meta, në një postim të pak minutave më parë në Facebook.

Më tej, Meta shtoi:

“Nevojitet një strategji konkrete afatgjatë, jo sporadike dhe mediatike, për përballimin dhe vënien nën kontroll të përhapjes së kësaj pandemie që po rrezikon seriozisht shëndetin dhe jetën e qytetarëve.

Gjithashtu, është i domosdoshëm një komunikim edhe më intensiv me vendet e rajonit dhe ato të BE, si dhe me OBSH, për të harmonizuar veprimet dhe shkëmbyer informacionin në kohë reale për orientimin e një strategjie që lejon daljen sa më të sigurt dhe të shpejtë nga pandemia.

Duke ju shprehur ngushëllimet më të ndjera familjeve që kanë humbur njerëzit e tyre më të dashur, si dhe duke ju uruar shërim sa më të shpejtë gjithë të prekurve, theksoj domosdoshmërinë për respektimin me rigorozitet nga të gjithë të protokolleve shëndetësore dhe masave parandaluese.”

Për të vazhduar me:

“Është me rëndësi jetike rritja e efikasitetit të këtyre masave, përmes ndërgjegjësimit, transparencës, gjithëpërfshirjes dhe rritjes së frymës së bashkëpunimit, pasi objektivi madhor i përbashkët duhet të jetë vetëm mbrojtja e shëndetit të qytetarëve dhe ekonomisë kombëtare.

Në veçanti është e domosdoshme të rritet besueshmëria e menaxhimit të pandemisë, tani kur po hyjmë në pikun e sezonit turistik, në mënyrë që të përfitojmë maksimalisht prej tij.”

 

Top Channel