Nuk ka alternativë tjetër përveç dialog me Serbinë dhe se ky proces duhet të mbyllet shumë shpejt ka thënë Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti pas kthimit nga Brukseli dhe anulimit të takimit në Washington.
Ai është shprehur se do të caktojnë një datë tjetër për rifillim të negociatave dhe agjenda do të mbetet e njëjtë, zhvillimi ekonomik i dy vendeve.
Hoti ka mohuar se do të diskutohet për pasurit në veri të vendit si Liqeni i Ujmanit dhe Trepça.
Por, se a do të shkoj i vetëm takimin e radhës, Hoti tha se këtë do ta caktojë nikoqiri, Richard Grenell.
Lidhur me aktakuzën e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar ndaj Presidentit, Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli, Kryeministri tha se akti i pavarësisë i njohur nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e legjitimon plotësisht luftën e Kosovës për liri dhe pavarësi.
Në anën tjetër, Qeveria është duke u përgatitur edhe për Samitin e Parisit, takim me palën serbe nën ombrellën e BE-së.
Gjatë vizitës në Bruksel, Kryeministri Hoti është takuar me përfaqësues të BE-së me të cilët ka diskutuar për pandeminë, rimëkëmbjen ekonomike e liberalizimin e vizave.
Për këtë të fundit deputetët e Parlamentit Evropian i janë drejtuar me një letër të përbashkët kancelares gjermane, Angela Merkel për ta futur në agjendën e Këshillit të Evropës çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovë.
Top Channel