Aksion kundër ndotjes/ Sarandë, aktivistët pastrojnë detin dhe mbjellin lule

27/06/2020 12:27

Qindra qytetarë në Sarandë i janë bashkuar një nisme qytetare unike “Mbill një lule për Sarandën” titullohet kjo nismë që nisi gati dy vite më pare.

Numri i qytetarëve erdhi duke u shtuar dhe të gjithë filluan të mbjellin lule, fillimisht bukovilje e më pas 150 lloje të tjera.

“Ishim pozitivë që ne momentin e parë. E thamë që në fillim që do funksiononte. Në takimin e parë në Tiranë ishim rreth 15 vetë kurse tani janë rreth 300 aktivistë që bashkohen herë pas here. Unë i ndjek gjithmonë nga larg dhe besoj se është një thirrje pozitive për qytetarët por edhe për turistët. Ćdo turist duhet ta dijë që bukovilja është lulja e Sarandës”, shprehet Ajna Hoti, krahu i mbështetjes prej diasporës.

Për aktivistët kjo ishte një nismë për të sfiduar betonizimin që po ndodhte prej dekadash në Sarandë.

“ Janë mbjellë rreth 500 bukovilje dhe rreth 150 pemë të tjera dekorative. Mendojmë se do të arrijmë në 3000 bukovilje dhe mendojmë se ngjyra gri do të zëvendësohet nga çiklamina e bukoviljes. Ajo do vite që të rritet por falë aftësisë kacavjertëse do ta mbulojë zymtësinë e mureve.”

Kjo iniciativë u pasua nga një tjetër lëvizje qytetare. Grupi i zhytësve filloi të mbështesë aktivistët e luleve. Zhytësit u angazhuan për pastrimin e nëndetit. Me mijëra goma gjenden atje poshtë, me mijëra shishe plastike dhe ndotje të akumuluara përgjatë viteve.

“Duke qenë se ne jemi operator turistik dhe shoqërojmë turistë për zhytje ne konstatuam që deti Jon ishte shumë i ndotur nga mbetjet, ga gomat dhe për shkak të turizmit ju bashkuam nismës së luleve për pastrimin e detit Jon. Vizitorëve i tërheq vëmendjen gjithë kjo ndotje dhe përpiqen të na ndihmojnë ti nxjerrim jashtë”, thotë Gerta Brozi.

“Shumë mbetje, dominojnë gomat. Kemi kryer shumë aksione për pastrimin e detit. Zona pranë plazheve dhe ankorimit të varkave është më e ndotura. Ne jemi të vendosur që brenda një viti të pastrojmë gjithë gjirin e Sarandës deri tek ishujt e Ksamilit”, shprehet Saimir Kushova, zhytës.

Pesë aksione gjatë vitit të kaluar dhe tetë iniciativa zhytjeje gjatë këtij viti kanë arritur të nxjerrin nga nëndeti gati 850 goma plastike dhe mijëra shishe. Misionet pritet të vazhdojnë të mbështetura tashmë nga qytetarë dhe turistë.

Top Channel