OBSH ka lëshuar alarmin se virusi po rikthehet në Evropë ndërkohë që kufizimet po zbuten në një numër vendesh.

Në një konferencë për shtyp të enjten, drejtori për Evropën i OBSH, Hans Kluge, tha se dhjetëra vende në Evropë kanë parë rritje të shifrave dhe paralajmëroi se disa sisteme shëndetësore në kontinent mund të rrezikojnë sërish kolapsin. Sipas OBSH janë 30 shtetet që kanë regjistruar rritje të rasteve të koronavirusit gjatë dy javëve të shkuara dhe në 11 vende, shpejtësia e transmetimit të virusit është rritur.

Mes këtyre 11 vendeve, përfshihen edhe Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut, bashkë me Bosnje Hercegovinen, Suedinë, Moldavinë, Ukrainën, Armeninë, Azerbajxhanin dhe shtetet e Azisë qendrore, Kirgistani dheKazakistani.

BE synon të hapë kufijtë e saj të jashtëm më 1 korrik dhe ambasadorët kanë diskutuar të premten se qytetarët e cilëve shtete do të lejohen të hyjnë në territorin e vendeve anëtare të bllokut apo ato të zonës Shengen. Shkalla e infektimit është një nga masat që po merret në konsideratë por po ashtu, është e rëndësishme edhe mënyra se si vendet po luftojnë pandeminë dhe nëse ato kanë në fuqi regjime të përshtatshme testimi dhe gjurmimi.

Udhëtarët nga SHBA, Brazili dhe Rusia, ka pak gjasa të lejohen të hyjnë në territorin e BE dhe numri fillestar i vendeve që do të marrin dritën jeshile, mund të jetë i vogël. Sipas draftit paraprak, në listën e shtetasve që do të lejohen të hyjnë në Evropë janë edhe ata nga Shqipëria e Kosova. Sidoqoftë, ka patur debate në lidhje me kriteret që duhen marrë parasysh.

Top Channel