Mbi 34300 dosje stok/ Ruçi kryetares së KLGJ-së: Plotësoni vakancat në Gjykatën e Lartë Kushtetuese, po pengohet integrimi

25/06/2020 12:14

Gjatë seancës së sotme plenare, kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami deklaroi se stoku i dosjeve në Gjykatën e Lartë është shtuar me 5654 çështje duke e çuar numrin total në mbi 34300.

“KLGJ-ja hartoi edhe bazën ligjore për ngritjen në detyrë të gjyqtarëve për ta plotësuar me gjyqtarë karriere, kemi hapur garën për 6 vende, kanë aplikuar vetëm 12 kandidatë, të njëjtët që kanë aplikuar më parë. Aktualisht kemi një numër të vogël gjyqtarësh, nga 103 gjyqtarë vetëm 29 janë konfirmuar, 18 plotësojnë kriteret e eksperiencës. Numër i vogël kandidatësh që kufizon mundësinë e përzgjedhjes. Për pasoja procesi mund të cilësohet si i paracaktuar. Ne jemi në fazën e e vijimit të procesit si Këshill për zbatimin e reformës në drejtësi, ndërsa vettingu është proces paralel që bën identifikimin e personave të ekspozuar ndaj korrupsionit. Këshilli ka filluar punën dhe besoj që edhe Këshilli do marrë shumë masa për gjyqtarët e korruptuar apo që ka indicie se janë të tillë”, u shpreh Llagami.

Nga ana tjetër, kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi i kërkoi kryetares së KLGJ-së që të hapë menjëherë garën për të gjitha vendet vakante në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese, pasi është kusht për integrimin.

“Të shpallen të gjitha vendet e lira në gjykatën e Lartë. Ju këtë çështje e latë të fundit, Kuvendi është i interesuar për gjithçka, por në radhë të parë edhe Kuvendi edhe publiku edhe partnerët janë të interesuar kur do të plotësohen vakancat në Gjykatën e Lartë dhe Kushtetuese.  Nuk ka asnjë arsye, as ligjore që ju mos hapjen e të gjitha vendeve, të mbahet peng Shqipëria deri në Bruksel për këtë çështje.  Lidhur me këtë rezolutë që Kuvendi do të votojë sot, Kuvendi dhe seanca e posaçme për këtë çështje, kur themi të hapen menjëherë dhe përfundojë sa më shpejt, të mos jemi të okupohet një mbledhje e posaçme e Kuvendit vetëm për këtë, mos-hapjen e vendeve vakante”, tha ai.

 

Top Channel