Gjashtë viktima janë regjistruar në 24 orët e fundit dhe 153 raste të reja me COVID-19 në Maqedoninë e Veriut, duke bërë që kurba e infeksionit të mos shënojë rënie që prej para dhjetë ditësh.

Ndërsa çështja po merr përmasa shqetësuese, autoritetet kanë paralajmëruar hapjen e vendit dhe lehtësime të shumta të masave që ishin vendosur për mbrojtjen nga koronavirusi.

Nga 6 viktimat e fundit, 2 janë nga Shtipi, të tjerët nga Shkupi, Tetova, Ohri dhe Resnja. Mosha e tyre është nga 53 në 80 vjeç. Numri i përgjithshëm i të vdekurve nga virusi shkon në 265.

Në spitalet e Shkupit, 51 pacientë mbahen me oksigjen, ndërsa 7 të tjerë në respiratorë. Dhjetra të tjerë nëpër spitale të tjerë të vendit nuk janë në gjendje të vështirë. Rastet serioze dërgohen për kurim në Shkup.

Shkupi është më i prekur dhe vetëm brenda një dite atje janë identifikuar 66 raste, ndërsa në komunën e Çairit ka mbi 400 raste aktive; më pas vijon Tetova e Kumanova.

Megjithatë, autoritetet shëndetësore thonë se gjendja është nën kontroll. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe tha të enjten se këto ditë numri i personave që shtrohen në spitale është më i vogël krahasuar me 10 ditë më parë dhe se ky është një faktor i rëndësishëm për Komisionin e sëmundjeve infektive për të vendosur lidhur me masat.

Fabio Scano nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për Evropën tha në një konferencë shtypi në Shkup se më me rëndësi për pengimin e përhapjes së koronavirusit është zbulimi i hershëm i rasteve dhe i kontakteve dhe mbajtja në izolim. Ai tha se “deri në gjetjen e një vaksine nuk do të duhej të lirohemi”.

Ndërkohë, qytetarët detyrohen që të mbajnë maska në fytyrë nëpër vende publike, të ruajnë distancën, të mos qëndrojnë në grupe më tepër se dy-tre veta dhe masa të tjera, të cilat jo gjithmonë respektohen edhe përkundër gjobave të larta./VOA/

Top Channel