Maqedoni, nis fushata/ Kandidati i parë për kryeministër shqiptar

25/06/2020 13:31

Në Maqedoninë e Veriut nisi zyrtarisht fushata 20 ditore për zgjedhjet e parakohshme parlamentare ku do të marrin pjesë 15 koalicione dhe parti me gati 1.600 kandidatë.

Partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim e nisi fushatën në Prespë duke e vënë theksin tek “ideja e madhe për zgjedhjen e kryeministrit të parë shqiptar” përmes promovimit të Naser Ziberit si kandidat për këtë post.

“Pas konsultimeve intensive me shoqërinë civile, botën akademike, ekspertë dhe opinionkrijues, arritëm deri tek emri unifikues për të qenë i pari shqiptar që garon për të thyer edhe kornizën e fundit një-etnike në Maqedoninë e Veriut, atë të kryeministrit të vendit dhe ky është Naser Ziberi ,i cili i ka të gjitha virtytet për të prirë ekzekutivin e vendit drejt barazisë së plotë”, tha kryetari i BDI-së Ali Ahmeti. Vetë kandidati për kryeministër shqiptar Naser Ziberi theksoi në takimin promovues të BDI-së se në këto momente i gjithë vendi, rajoni, po edhe komuniteti ndërkombëtar po flet për një ide e cila mund të bëhet realitet.

“I thashë po kandidaturës për kryeministër shqiptar se kjo ide është më e madhe se sa unë, kjo ide është më e madhe se vetë BDI. Unë nuk do ta kisha pranuar këtë propozim sikur të mos bindesha se ky është një projekt kombëtar. Sikur të mos bindesha se përmes kësaj ideje do ta faktorizojmë popullin shqiptar në Republikën e Maqedonisë së Veriut edhe më tepër”, deklaroi Ziberi.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe alternativa nën moton “Tani është koha” e zhvillon takimin promovues në Tetovë.

Top Channel