Nga Brukseli, kryeministri i Kosovës deklaroi se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit nuk ka alternativë dhe se Kosova, sipas tij, e ka maturinë e duhur institucionale për të kapërcyer çdo situatë me të cilën përballet.
“Çështja kryesore që shtrova është liberalizimi i vizave. I kemi plotësuar të kriteret”, tha Hoti pas takimit me David McAllister. Vizat ishin po kështu temë qendrore bisedës së tij me presidentin e Këshillit Europian Charles Michel. Hoti pret që BE-ja t`i vlerësojë këto kritere dhe t’ua mundësojë shtetasve të Kosovës lëvizjen e lirë.
Kreu i ekzekutivit kosovar foli edhe për anulimin e vizitës në SHBA. Ai pohoi se i ka kërkuar të dërguarit të posaçëm të dialogut Kosovë-Serbi, Richard Grenell, shtyrjen e takimit që ishte llogaritur të mbahej në 27 qershor në Washington. Përpjekja për vënien në shina të procesit të dialogut u shemb pas ngritjes së aktakuzës nga Prokuroria Speciale, kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Komenti i Hotit në Bruksel ishte se “çështjet që lidhen me drejtësinë siç ishte vendimi i djeshëm nuk duhet të diskutohen”.
Vetë Grenell u shpreh më herët se e “ respektonte vendimin e tij për të mos marrë pjesë në diskutime, derisa të zgjidhen çështjet ligjore rreth atyre pretendimeve”. Për shefin e kabinetit të Thaçit, Bekim Çollaku, tha se historia e Kosovës nuk mund të ndryshohet nga “lapsi i një gjykate ndërkombëtare, të motivuar politikisht”. Isa Mustafa e bëri të qartë se dialogu, duhet të zhvillohet pasi të jetë siguruar funksionimi i institucioneve.
Top Channel