Numri i personave që kanë humbur jetën nga koronavirusi i ri (COVID-19) në Amerikën Latine tejkalon shifrën 100 mijë.
Brazili i radhitet si vendi i dytë për nga numri i lartë i rasteve që nga paraqitja e pandemisë me 39.436 të infektuar, duke çuar numrin e përgjithshëm të rasteve në 1.145.906, njofton Ministria e Shëndetësisë. Ky vend i Amerikës Latine gjithashtu shënon rekord me 1.000 vdekje në ditë.
Meksika regjistroi 23.377 të vdekur nga COVID-19 deri të martën ndërsa numri i rasteve ka arritur në 191.410.
Brazili
Një gjykatës në Brazil urdhëroi presidentin Jair Bolsonaro të mbajë maskë mbrojtëse kur është në hapësira publike. Gjykatësi tha se presidenti do të përballet me një gjobë prej 2.000 reais (388 dollarë amerikanë) nëse ai vazhdon të vendos maskën gabimisht ose nuk e vendos fare.
Në fundjavat e fundit, Bolsonaro u bashkua me protestat kundër Kongresit dhe Gjykatës Supreme të Brazilit dhe ai ka vizituar furrat e bukës dhe restorantet pa zbatuar ligjin, i cili i detyron njerëzit të mbajnë maska jashtë. Përdorimi i maskave është bërë i detyrueshëm nga Qarku Federal i Brazilit që nga fundi i prillit për të ndihmuar në kontrollin e përhapjes së COVID-19.
Vendi i Amerikës së Jugut, i cili ka numrin e dytë të rasteve me COVID-19 në botë pas SHBA-së ka filluar testimin e një vaksine kundër COVID-19 të zhvilluar nga Universiteti i Oksfordit. Testimet e para klinike u zhvilluan të premten e kaluar në shtetin Sao Paulo, shteti më i populluar në vend, ku është regjistruar numri më i madh i personave të prekur dhe rasteve të vdekjes nga koronavirusi në të gjithë territorin.
Projekti numëron një grup prej 2.000 punonjësish shëndetësorë vullnetarë në Sao Paulo dhe 1.000 të tjerë në Rio de Janeiro të cilët do të përpiqen të testojnë imunizimin kundër virusit.
Kili
Në mes të krizës së pandemisë në Kili që regjistroi 4.505 vdekje nga COVID-19, funerali i xhaxhait 104-vjeçar të presidentit Sebastian Piñera, i cili ndërroi jetë nga COVID-19 shkaktoi debat mbi rregullat e varrosjes në kohë pandemie në vend.
Një video u bë publike duke treguar hapjen e arkivolit dhe praninë e më shumë se 30 të pranishmëve, të cilët shkelën masat parandaluese të miratuara nga qeveria.
Në video një grua thotë: “Sebastian [Piñera] dëshiron ta shohë atë”. Ndërkohë, disa nga njerëzit atje i thonë atij se “arkivoli nuk mund të hapet”, midis tyre kushëriri i presidentit dhe ish-ministri i Brendshëm, Andrés Chadwick. Por, përkundër paralajmërimeve, asistentja hap arkivolin dhe thotë: “Shiko, shiko”. Kreu i shtetit kilian, i veshur me maskë, afrohet të shohë kufomën.
Kjo ngjarje ka ngjallur shumë kritika nga njerëzit që thonë se presidenti i vendit duhet të përshtatet me masat e vendosura nga autoritetet.
“Nuk është e rastësishme që ai vdiq në Ditën e Babait, viktimë e një sëmundje që ka shkaktuar kaq shumë dhimbje dhe vuajtje për kaq shumë familje kiliane”, tha Piñera në fjalimin e tij në funeralin e xhaxhait të tij të dielën.
Top Channel