Partitë opozitare kanë akuzuar Qeverinë Hoti për shkelje kushtetuese me lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare të Serbisë në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Me vete në Kuvend deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje sollën logo të fushatës zgjedhore të partive serbe, në të cilën sipas tyre Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë.

Por, Kryeministri, Avdullah Hoti tha se kërkesa për organizim të zgjedhjeve serbe në Kosovë është bërë nga OSBE-ja, dhe këtë e ka miratuar bazuar në praktikat e mëhershme.

Kundërpërgjigje Kryeministrit Hoti i dha bashkë partiakja, njëherësh kryeparlamentarja, Vjosa Osmani, e cila tha se Kosova ka miratuar një rezolutë në 2012 për mos lejimin e mbajtjes së zgjedhjeve serbe dhe se Qeveria nuk duhet t’i delegoj kompetencat e saj tek OSBE-ja.

Zgjedhjet e 21 qershorit në disa komuna me shumicë serbe në Kosovë u mbajtën edhe përkundër faktit se autoritetet vendore për shkak të pandemisë kanë shtyrë afatin për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme për kryetare komune në atë të Podujevës dhe Mitrovicës  se Veriut.

Top Channel