Ndërsa paraditen e të martës, kryeministri dhe presidenti i Kosovës, u takuan për të bashkërenduar qëndrimet, para takimit Kosovë Serbi që do të mbahet në shtëpinë e bardhë, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka zgjedhur një këshilltar të veçantë; presidentin rus, Vladimir Putin.

Vuçiç tha se kishte marrë këshilla të vyera dhe mbështetje nga presidenti rus, Vladimir Putin, në lidhje me Kosovën. Vuçiç u takua me Putin në Moskë, ku po qëndron për të marrë pjesë në paradën që do të organizohet me rastin e përvjetorit të përfundimit të luftës së dytë botërore.

Pas takimi kokë më kokë, në kremlin, presidenti serb tha se mori “këshilla dhe analiza të mira” gjatë bisedave për “rrugët e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. Dhe nëse mund të them, Putini në një mënyrë të zgjuar paraqiti mendimet e tij duke respektuar qëndrimet e Serbisë. Rusia e respekton Serbinë dhe për këtë nuk ka asnjë dyshim”, tha ai, por pa dhënë hollësi se cilat ishin këshillat e presidentit rus.

Rusia, aleate e vjetër e Serbisë, ka theksuar disa herë se do të mbështesë çdo zgjidhje që është e pranueshme për Beogradin dhe që do të merrte bekimin e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Vizita e presidentit serb në Moskë, ndodh në prag të takimit të së shtunës mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë me ndërmjetësimin e ambasadorit Richard Grenell, i dërguar i posaçëm i presidentit Donald Trump. Njëkohësisht Bashkimi Evropian është vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve të ndërmjetësuara prej tij dhe muaji korrik pritet të jetë periudhë bisedimesh.

Top Channel