NJU JORK – Muzeu Amerikan i Historisë së Natyrës do të heqë nga hyrja e tij një statujë të rëndësishme të Theodore Roosevelt-it, pas vitesh kundërshtimesh se ajo simbolizon ekspansionin kolonial dhe diskriminimin racor, tha të dielën Kryetari i Bashkisë Bill de Blasio.
Statuja prej bronzi ka qëndruar në hyrjen e muzeut nga ana perëndimore e Central Park që nga viti 1940. Në të shfaqet Roosevelt mbi kalë, si dhe një indian i Amerikës dhe një afrikano-amerikan që qëndrojnë më këmbë pranë tij.
“Muzeu Amerikan i Historisë së Natyrës ka kërkuar heqjen e statujës së Theodore Roosevelt-it pasi ajo paraqet posaçërisht afrikano-amerikanët dhe popullsinë indigjene si të mposhtur dhe të një race inferiore“, u shpreh në një deklaratë me shkrim zoti de Blasio. “Qyteti mbështet kërkesën e muzeut. Është vendimi i duhur dhe koha e duhur për ta hequr këtë statujë problematike“.
Nëpërmjet Twitter-it, Presidenti Donald Trump kundërshtoi heqjen e statujës.
“Qesharake, mos e bëni!“, shkruajti ai.
Presidentja e muzeut, Ellen Futter, i tha gazetës New York Times se komuniteti i muzeut është prekur thellësisht nga lëvizja që vazhdon të zgjerohet për drejtësi racore, e cila lindi pas vrasjes së George Floyd-it.
“Shikojmë se si vëmendja e botës dhe e vendit është kthyer gjithnjë e më shumë ndaj statujave, si simbole të fuqishme dhe të dëmshme të racizmit në sistem“, u shpreh zonja Futter.
Zyrtarët thanë se nuk është përcaktuar se kur do të hiqet statuja e Roosevelt-it dhe se ku do të shkojë.
“Përbërja e Statujës mbi Kalë nuk pasqyron trashëgiminë e Theodore Roosevelt-it“, tha Theodore Roosevelt IV, nipi i presidentit, në një prononcim për Times. “Është koha për ta lëvizur statujën dhe për të ecur përpara“.
Zonja Futter tha se muzeu kundërshton statujën, por jo Roosevelt-in, një pionier i mbrojtjes së natyrës, babai i të cilit ishte një anëtar themelues i institucionit dhe që shërbeu si guvernator i Nju Jorkut para se të bëhej presidenti i 26-të i Shteteve të Bashkuara. Ajo tha se muzeu po i vë emrin Roosevelt Sallës së tij të Biodiversitetit “si njohje të trashëgimisë së tij për ruajtjen (e natyrës)”.
Në vitin 2017, protestuesit spërkatën me lëng të kuq bazën e statujës për të simbolizuar gjakun dhe publikuan një deklaratë që kërkonte heqjen e saj si një emblemë e “patriarkalitetit, epërsisë së bardhë dhe kolonializmit”./Voa/
Top Channel