Në qytezën e Këlcyrës duket se jeta i është rikthyer rutinës së zakonshme.

Shumë bujtina dhe njësi pritëse për vizitorët këtu kanë filluar të aktivizohen megjithatë duhet thëne se ritmi është i ulët. Banorët këtu dhe ata që presin vizitorë dhe turistë shpresojnë që të paktën fundjavat të jenë aktive.

“ Periudha ka qenë e vështirë por ka filluar çelja e sezonit turistik dhe shpresojmë se do të kemi turizëm sidomos nga turistët tanë të vendit dhe zonës. Do të mundohemi t’ju shërbejmë klientëve tanë me produktet e traditës së zonës sonë. Do të kemi pak rënie sepse turistët e huaj ishin pjesa jonë mbështetëse. Humbja është goxha e rëndësishme deri në 30-40% të xhiros”.

Ajo që ofron zona në këtë periudhë është tepër e veçantë. Duke filluar që prej pranverës ka shtigje aktive për hiking, është gjithë lugina e lumit të Vjosës që është një atraksion më vete, monumente dhe ushqim organik që vjen nga fermat përreth Këlcyrës.

“ Vërtetë ka filluar një interesim goxha i madh për zonën tonë sepse kemi shumë vende për tu vizituar që nga kalaja ilire, kalaja e Ali Bej Këlcyrës, kemi shpellën e Petranikut, kemi zonën e Vjosës për rafting dhe ofrojmë shumë gjëra të mira. Kemi dhe një benefit që jemi një vend i pastër pa asnjë të prekur dhe është e qartë që jemi një zonë e sigurtë.”

Tepelena një tjetër destinacion i turizmit alternativ duket se do të përballë sfidën e turizmit në rënie përgjatë fundjavave si e gjithë Shqipëria. Me rritjen e numrit të rasteve të të prekurve duket se ka një lloj tërheqjeje për të vizituar qoftë edhe zonat malore. Bizneset e turizmit këtu thonë se shqetësimi është në rritje dhe pritet të reflektojnë prej situatës në nivel kombëtar.

“Meqenëse kohët e fundit virusi ka ardhur duke u rritur ka pasur problem sepse ne kemi qenë duke prezantuar projektet tona të reja të turizmit për këtë vit duke pritur shumë por duke u rritur rastet edhe frika rritet.”

Ky vit pritej të ishte interesat sidomos për ata që do të zgjidhnin turizmin e aventurës dhe destinacionet në natyrë. Tepelena ofron shumë të tilla prej disa vitesh. Duket se edhe ky lloj turizmi ka pësuar një stepje megjithatë më të rinjtë ende do të vazhdojnë ta vizitojnë në fundjavë gjithë krahinën e Nivicës, gjithë luginën e Vjosës por edhe bujtinat e vogla që kanë filluar të marrin jetë në Tepelenë. /Kristina Fidhi/

Top Channel