Napoli arriti të fitojë Kupën e Italisë pas një finaleje të sforcuar pa publik dhe nën kushtet e diktuara nga pandemia, në të cilën u imponua ndaj Juventus vetëm pas goditjeve të penalltive. 90 minutëshi në stadiumin Olimpiko regjistroi shumë raste dhe shtylla por asnjë gol, dhe me skartimin e kohëve suplementare, fituesi u zbulua te pika e bardhë, ku më i saktë ishte Napoli.

Në fraksionin e parë Juventus provoi të diktonte kontrollin dhe rrezikoi me Ronaldon, ndërsa në skajin tjetër Insinje u ndal nga shtylla në një goditje dënimi. Pak para pushimit, Bufon bëri një pritje shpëtimtare ndaj Dema që mund të vendoste rrjedhën e finales.

Pati vend në fushë edhe për shqiptarin Elseid Hysaj, ndërsa në rinisjen e lojës rastet pasuan njëri-tjetrin por ai më flagranti ishte në kohën shtesë. Një rrëmujë në portën e Juventus solli goditjen me kokë të Maksimovic, por në rrjedhën e aksionit Elmas u ndal nga shtylla. Çdo diskutim u spostua më pas te lotaria e penalltive.

Starti shokues i bardhezinjve influencoi dhe trofeun, pasi në dy goditjet e para, as Dibala dhe as Danilo nuk arritën objektivin. Napoli nuk bëri asnjë gabim te penalltitë me Insinje, Politano, Maksimovic dhe Milik. Kaq ishte. Juventus në tapet dhe armata e Gatuzos rrëmben trofeun në një atmosferë surreale në Olimpiko, dhe me trofeun e medaljet në një stil self service.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA