George Floyd; Donald Trump firmos urdhrin e kufizimit të forcës së përdorur nga policia

17/06/2020 16:43

Presidenti Donald Trump ka firmosur mbrëmë urdhrin ekzekutiv që kufizon kapjet e dhunshme në grykë nga policia amerikane.

Pas zemërimit të gjerë në SHBA për vrasjet e afro-amerikanëve nga policia dhe protestat e dhunshme për vdekjen e afro-amerikanit George Floyd, presidenti tha mbrëmë se kapjet në fyt “do të ndalohen, përveç rastit kur është në rrezik jeta e policit”.

“Kemi diskutuar me shumë departamente dhe të gjithë janë dakord, është koha për ta bërë. Ne gjithashtu po kërkojmë për një armë të re të avancuar e më pak lënduese, për të parandaluar ndërveprimet fatale”, shtoi Trump.

Presidenti shtoi se sipas direktivave të reja, departamentet do të këmbejnë informacionin për abuzimet e mundshme të oficerëve dhe se fondet federale do të kenë në prioritet ato departamente që çertifikohen me “standarde të larta… të përdorimit të forcës dhe uljes së tensionit në situatat e tensionuara”.

Ndërkohë vrasja nga policia e afro-amerikanit Rayshard Brooks në fundjavë në Atlanta ka rizgjuar zemërimin dhe demonstratat.

Në lidhje me vdekjen e fundit Trump tha: “Nuk mund ta imagjinoj dhimbjen e familjarëve. Dua që ju ta dini se amerikanët po mbajnë zi bashkë me ju, dhe se të dashurit tuaj nuk do të vdesin kot.”

Top Channel