Skënder Bruçaj kundër Fatmira Hajdarit: Ka kontribuuar në grabitjen e një prone shekullore të Komunitetit Mysliman

15/06/2020 15:05

Gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari u përball sot me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit zonja Hajdari ka mungesë burimesh të ligjshme pasurie për vite me radhë.

Prej orësh Fatmira Hajdari dha llogari para KPK-së për pasurinë dhe më shumë. Një koment kundër Fatmira Hajdarit vjen nga ish-kreu i komunitetit mysliman, Skënder Bruçaj.

“Fatmira Hajdari në vitin 2015, me një vendim gjyqësor absolutisht të pa drejtë, haptazi dhe në kundërshtim me ligjin dhe provat, ka kontribuuar që ti grabitet një nga pronat shekullore vakëf të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë”, shkruan ai në një postim në “Facebook”.

Postimi i plotë:

“Gjatë detyrës time si kryetar i KMSH jam përballuar me një nga vendimet më të padrejta nga gjyqësori shqiptar.

Fatmira Hajdari në vitin 2015, me një vendim gjyqësor absolutisht të pa drejtë, haptazi dhe në kundërshtim me ligjin dhe provat, ka kontribuuar që ti grabitet një nga pronat shekullore vakëf të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Çështja tani është në gjykatë të lartë dhe jam i bindur që dikur drejtësia do vendoset.

Zonja Hajdari edhe mund ta kaloje këtë Vetingun e drejtësisë në këtë botë, por jam i bindur se në botën e përtejme do të përballët me drejtesinë absolute të Zotit.

Një këshillë për të gjithë anëtarët e sistemit gjyqësor; Të kontribuosh që të vendoset drejtësia në vend konsiderohet si adhurim si një punë shumë fisnike para Zotit, por në të njëjten kohë, kur zgjedh të bësh padrejtësi me qëllim të keq, ta dini se keni bërë një nga veprimet më të urryera nga Zoti.
Dënimi në botën tjetër është i pashmangshëm.

O ju që besuat, vazhimisht të jeni dëshmues të drejtë pë hir te Allahut edhe nëse është kundër (interesit) vetes suaj, kundër prindërve ose kundër të afërmve, le të jetë ai (pë të cilin dëshmohet) pasanik ose varfnjak, pse Allahu di më mirë për ta.Mos ndiqni pra emocionin e ti shmangeni drejtësisë! “Nëse shtrëmbëroni ose tërhiqeni, Zoti është i njohur hollësisht për çka punoni”. (Kur`ani, Nisa: 135)”.

Deklarata e bërë në vitin 2015

Me emrin e Zotit, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! 

Në emër të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, i bëjmë me dije Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, institucioneve ndërkombëtare të akredituara në Tiranë, si dhe mbarë opinionit publik shqiptar, se në këto ditë të shenjta të Ramazanit, kur mbarë bota Islame përjeton këtë Muaj të Bekuar, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë po përballet me një grabitje të madhe, atë të pronës qindra vjeçare vakëf që ndodhet në qendër të Tiranës, pranë Dhomës së Tregtisë.

Të parët tanë të urtë dhe besimtarë të denjë myslimanë shqiptarë, krahas xhamive dhe objekteve të ndryshme, kanë lënë vakëfe (prona për bamirësi) në dobi të shoqërisë shqiptare.

Pas shtetëzimit nga sistemi ateisto-komunist, akoma edhe pse ka kaluar një çerek shekulli liri e besimit, si dhe pas një kalvari gjyqesh dhe ndjekjesh të të gjitha formave, individi Ali Pazari në bashkëpunim me biznesmenin Fatmir Xhaferi, duke përdorur format e mashtrimit dhe me ndihmën e trupit gjykues të Gjykatës së Apelit, kryesuar nga gjyqtarja Fatmira Hajdari, me një vendim gjyqësor haptazi në kundërshtim me ligjin dhe provat, kanë grabitur pronën shekullore vakëf të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë.

Institucioni ynë dënon fuqishëm këtë akt të paprecedent dhe ndërkohë ka ndërmarrë të gjitha hapat e duhur ligjorë për ndjekjen e kësaj çështjeje në instancat më të larta të drejtësisë, duke e ankimuar këtë vendim.

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë i bën thirrje Gjykatës së Lartë, që të vendosë drejtësi sa më shpejt lidhur me këtë pronë të shenjtë vakëf. 

Komuniteti Mysliman i Shqipërisë

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA