IKMT vijon me shembjen e godinave në Unazën lindore të Tiranës

15/06/2020 11:07

IKMT, në kuadër të zbatimit të projektit ”Ndërtim i segmentit rrugor Unaza Lindore, Loti 3” Tiranë, në ditën e dytë të aksionit në Shkozë, njofton se deri më tani janë shembur 7 objekte që janë pengesë për realizimin e këtij aksi rrugor.

IKMT njofton se veç shtatë objekteve të prishura deri më tani do të prishen edhe shtatë të tjera gjithashtu. Objektet variojnë nga një, dy deri në 5 katëshe.

Fatmirësisht deri më tani nuk është shënuar asnjë incident.

Loti 3 i Unazës kalon në zonat Shkozë, “Ali Demi” dhe “Kodra e Priftit”. Objekti ka një gjatësi të përgjithshme rreth 3.3 kilometra. Ky segment është i ndarë në dy pjesë. Pjesa e parë është vazhdim i unazës që vjen nga Farka dhe përfundon në Jug të ish-Uzinës së Autotraktorëve.

Ndërsa pjesa e dytë fillon pak mbi Maternitetin e Ri të Tiranës dhe duke ndjekur rrjedhën e sipërme të lumit Lanë, intersekton Urën e Shkozës dhe përfundon në Jug të ish-uzinës së Autotraktorëve duke u lidhur me Unazën e Madhe të Tiranës.

Top Channel