Sot në mbrëmje do të luhet gjysmëfinalja e dytë e Kupës së Italisë, ajo mes Napolit dhe Interit nga ku do të dalë skuadra që do të sfidojë Juventusin në finalen e 17 qershorit në Olimpico të Romës.

Në San Paolo skuadra e Gattusos vjen me avantazhin e fitores 1-0 në Milano ndaj zikaltërve në sfidën e zhvilluar në 24 shkurt.

Është një ndeshje që ka një peshë shumë të madhe për të dy trajnerët e këtyre dy skuadrave Gennaro Gattuso dhe Antonio Conte për të cilët është në lojë një sezon i tërë. Interi do të kërkojë të përmbysë humbjen e sfidës së parë pavarësisht qëndrimit në inaktivitet për 104 ditë dhe misioni nuk është i pamundur. për më tepër, në kampionat zikaltrit kanë mundur të fitojnë në San Paolo 3-1 ndaj Napolit që mund të përbëjë një precedent të mirë për të.

Përsa u përket formacioneve, Inter shkon në Napoli me skuadrën më të mirë të mundshme me Eriksen që pritet të ndihmojë dyshen sulmuese Lukaku-Martinez me këtë të fundit që prej javësh është në qendër të zërave të merkatos për një transferim të mundshëm te Barcelona.

Ndërsa në anën tjetër, Napoli do të shpresojë te Mertens, edhe ky prej kohësh në qendër të zërave të merkatos që e shihnin atë pikërisht drejt Interin. Ai që do të mungojë te skuadra napoletane është qendërmbrojtësi Manolas, por Gattuso mund të besojë te ish futbollisti i Interit Politano. Sfida gjysmëfinale e Kupës së Italisë mes Napolit dhe Interit do të luhet në orën 21:00 dhe do të transferohet në platformën Digitalb.

Top Channel