7 persona kanë rezultuar pozitiv ndaj koronavirusit, në 24 orët e fundit në Shkodër.
Pasditen e sotme, kanë mbërritur përgjigjet e 27 tamponëve të marra dje.
Burime për top Channel bëjnë me dije se 5 prej tyre janë kontakte të mëparshme të të infektuarëve ndërsa 2 janë vatra të reja.
Ato i përkasin dy punonjësve të dy fasonerive në këtë qytet. Në total numri i të prekurve në të gjithë qarkun shkon në 177.
Ditët e fundit është vënë re rritje e numrit të rasteve në disa aktivitete biznesi, në institucione të ndryshme, në pjesëmarrje në ceremoni mortore dhe grumbullime.
Ndaj Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale apelon qytetarët, bizneset, që në mënyrë strikte të respektojnë zbatimin e masave të rekomanduara: distancën fizike, përdorimin e maskave në shërbim dhe kur nuk është e mundur të respektohet distanca, higjienën personale, dezinfektimin e ambienteve, ajrosjen e tyre, në mënyrë që të kufizohet përhapja e Covid19.
Top Channel