Kosova shënon sot 21 vjetorin e hyrjes së trupave të NATO-s që zbarkuan atje orët e para të 12 qershorit 1999.
Sulmet ajrore ndaluan asokohe për t`i krijuar trupave tokësore mundësinë të hynin në territor e të largonin prej andej ushtarët serbë. Sot e kësaj dite, ky moment kremtohet si dita e çlirimit. Rreth 50 mijë ushtarë u vendosën atëherë në Kosovë, por numri i tyre erdhi duke u reduktuar në rrjedhën e viteve me konsolidimin e institucioneve vendase dhe forcimin e sigurisë. Aktualisht në Kosovë vazhdojnë të mbeten rreth 4 mijë trupa me misionin të krijojnë një mjedis të sigurt për të gjithë dhe vendosjen e lirisë së lëvizjes.
Kosovarët e vlerësojnë lart rolin e jashtëzakonshëm të NATO-s, jo vetëm në drejtim të sigurisë, por edhe për rindërtimin e Kosovës që doli nga lufta me mbi 10 mijë të vrarë e rreth 5 mijë të zhdukur. Hyrja trupave shënoi pikën kulmore të një fushate që ishte paraprirë me 78 ditë bombardimesh mbi forcat serbe, pasojë e refuzimit të Beogradit për të firmosur marrëveshjen e negociuar në Rambouillet të Francës që duhet t`I jepte fund luftës në Kosovë. Në një deklaratë të lëshuar nga NATO-ja së fundi thuhet se pas 12 qershorit Kosova hyri në një fazë të re të paqes dhe zhvillimit, ndërsa theksohet se KFOR-i mbetet një faktor i domosdoshëm i stabilizimit për të ardhmen e saj dhe për sigurinë rajonale.
Top Channel