58 raste të reja me koronavirus në Kosovë, paralajmërohet rikthimi i masave

12/06/2020 20:11

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike në Kosovë ka regjistruar të premten 58 raste të reja me koronavirus.

Shifra ka bërë që autoritet të paralajmërojnë për rikthimin e masave të izolimit, nëse qytetarët nuk i respektojnë rekomandimet e ekspertëve shëndetësorë.

Kështu është thënë në një konferencë për media, pas vizitës së kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti, të ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe atij të Arsimit, Ramë Likaj, në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

“Sot, nga informatat që kemi marrë nga Instituti, situata është alarmante. Nëse nuk vetëdijesohemi për të respektuar strikt udhëzimet e ekspertëve shëndetësorë, ne jemi të detyruar t’i kthejmë masat që kanë qenë më herët për të mbrojtur jetën e qytetarëve”, ka thënë kryeministri Hoti.

Drejtori i Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, Naser Ramadani, ka thënë se gjatë kësaj jave është shënuar rritje e numrit të rasteve, gjë që, sipas tij, është brengosëse.

“Instituti Kombëtar, në orët e pasdites, në laboratorët tonë, kemi regjistruar 58 raste pozitive me COVID-19 [sëmundjen që e shkakton koronavirusi] – gjë që paraqet një numër të rritur të rasteve në krahasim me ditët e kaluara”, ka thënë Ramadani.

Ai ka bërë të ditur se Instituti, së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë, kanë hartuar një doracak me udhëzime se si duhet të sillen bizneset e ndryshme, institucionet dhe qytetarët, me qëllim që të mos përhapin edhe më tej koronavirusin.

Me shifrat e fundit, numri i përgjithshëm i të infektuarve me koronavirus në Kosovë ka arritur në 1,384.

Prej tyre, 921 pacientë janë shëruar dhe 31 kanë vdekur.

Top Channel