Shkencëtarët australianë po përdorin dronët për të shpëtuar breshkat e detit.
Ishulli Raine, në cepin më verior të Australisë, është vendi ku mblidhen çdo vit rreth 60.000 breshka të gjelbra, të cilat migrojnë për qindra kilometra nga Barriera e Madhe Koralore për të lëshuar vezët e tyre. Ekspertët që punojnë për të mbrojtur speciet e rrezikuara ishin munduar shumë të gjenin mënyrën më të mirë për të gjurmuar këtë rrugëtim të tyre, dhe një raport i publikuar nga revista “PLOS One” tregoi se përdorimi për herë të parë i dronëve për këtë qëllim, ka nxjerrë në pah se shifrat janë nënvlerësuar me më shumë se 50 përqind.
Pamjet mahnitëse të publikuara nga Fondacioni Great Barrier Reef treguan me mijëra breshka duke notuar në ujërat e kristalta blu të oqeanit.
“Përpjekjet për t’i numëruar më parë breshkat nga një varkë e vogël në një det të trazuar, padyshim që kanë qenë të vështira. Përdorimi i dronëve është mjaft më i lehtë dhe i saktë, e për më tepër, të dhënat mund të procesohen menjëherë”, u shpreh Andrew Dunstan.
Puna e këtij ekipi si pjesë e Projektit të Rimëkëmbjes së Ishullit Raine, gjithashtu përfshin rindërtimin e plazheve ku gjenden foletë e tyre dhe ndërtimi i rrjetave mbrojtëse për të parandaluar ngordhjen e breshkave.
Top Channel