Në Maqedoninë e Veriut të hënën është regjistruar një shifër rekord e të infektuarve me koronavirus. Ministri i Shëndetësisë së Maqedonisë së Veriut, Venko Filipiçe, ka njoftuar se nga testimi i 702 mostrave, 127 persona kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, sëmundjen që e shkakton koronavirusi, ndërsa tre persona kanë ndërruar jetë.
Viktimat janë një 70 vjeçar nga Kumanova dhe dy persona nga Shkupi, të moshës 62 dhe 78-vjeçare. Me këto viktima të fundit, totali në Maqedoninë e Veriut shkon në 156. Pjesa më e madhe e rasteve të reja janë regjistruar sërish në Shkup ndërkohë që pasojnë Tetova, Ohri, Struga etj. Zonat me më shumë raste në Shkup janë komuna e Cairit, qendra dhe buteliu.
Që nga regjistrimi i rastit të parë të koronavirusit në Maqedoninë e Veriut e deri më sot, janë bërë mbi 37 mijë testime dhe pozitivë kanë rezultuar 3152 perrsona. Të shëruarit ndërkohë janë 1653 dhe rastet aktive 1343. Vetëm në dhjetë ditët e fundit ndërkohë, në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar më shumë se 900 raste të reja.
Komisioni i Sëmundjeve Infektive i ka propozuar qeverisë rikthimin e kufizimeve strikte në ato që mund të konsiderohen si vatrat e koronavirusit; Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe Shtip. Ndalimi i lëvizjes së qytetarëve është propozuar të jetë nga ora 22:00 deri në orën 05:00.
Top Channel