“Sjellje e pabesë dhe dinake”/ Koreja e Veriut do t’i ndërpresë të gjitha linjat e komunikimit me Jugun!

09/06/2020 11:15

Idili mes dy Koreve duket se ishte e destinuar të mos zgjaste: pavarësisht entuziazmit që ngjallën samitet e pajtimit, nga Koreja e Veriut mbërrijnë sërish sinjale lufte.

Peniani njoftoi se do t’i ndërpresë të gjitha linjat e komunikimit me Jugun, përfshirë edhe atë direkt mes dy liderëve. Thirrjet e përditshme, të cilat janë realizuar në një zyrë ndërlidhëse në qytetin kufitar të Koresë së Veriut, Kaesong, do të pushojnë nga sot, njoftoi agjencia verikoreane e lajmeve KCNA.

Sipas saj, kanalet e komunikimit ushtarak do të ndërpriten gjithashtu. Duke e përshkruar jugun si “armiku”, agjencia thotë se njerëzit e Koresë së Veriut “janë zemëruar nga sjellja e pabesë dhe dinake e autoriteteve të Koresë së Jugut, me të cilat kemi shumë çështje për të zgjidhur”.

Dy Koretë janë teknikisht në luftë, sepse konflikti i tyre i viteve 1950-1953 ka përfunduar me armëpushim dhe jo me traktat paqeje. Raporti i KCNA akuzoi po ashtu autoritetet e Koresë së Jugut se “në mënyrë të papërgjegjshme i lejojnë dezertorët të dëmtojnë dinjitetin e udhëheqjes supreme të Koresë së Veriut”. Koreja e Jugut nuk ka dalë ende me ndonjë reagim.

Top Channel