​Kosovë/ Qeveria do të përgatisë plan detal për rikuperimin e dëmeve nga COVID-19

09/06/2020 17:22

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, gjatë një takimi sot me përfaqësuesit e Asociacioneve të bizneseve, ka njoftuar këta të fundit në lidhje me masat e ndërmarra për rimëkëmbjen ekonomike në vend pas pandemisë me koronavirus.

Hoti tha se qeveria që ai drejton do të punojë për përgatitjen e planit detal, në mënyrë që të rikuperohen dëmet e shkaktuara.

“Këtë mund ta arrijmë nëse i bëjmë bashkë forcat. Si qeveri do ta keni mbështetjen për t’i dizenjuar në detaje këto masa dhe gjatë fazës së implementimit do të punojmë që fondet të shkojnë në vendin e duhur”, tha ai.

Hoti ka bërë të ditur se deri në vjeshtë do të kompensohen bizneset dhe familjet që kanë pësuar si rezultat i pandemisë, ndërsa tha se vitin e ardhshëm do të fillohet me projekte zhvillimore afatgjate.

Top Channel