Meta vlerëson Famullinë e Shën Mhillit Laç me Dekoratën “Nënë Tereza”

07/06/2020 12:21

Presidenti Ilir Meta vlerësoi sot Famullinë e Shën Mhillit në Laç me Dekoratën e lartë “Nënë Tereza”, me motivacionin: “Në vlerësim dhe me mirënjohje të lartë shtetërore për kontributin humanitar, material dhe shpirtëror të dhënë në ndihmë të familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, si shembull i solidaritetit dhe mirësisë njerëzore dhe fetare”.

Në ceremoninë solemne të organizuar,  morën pjesë Ambasadori i Shtetit të Vatikanit Imzot Charles John Brown, kryetarja e Bashkisë së Kurbinit Majlinda Cara, klerikët Dom Arjan Dodaj dhe At Aurel Gjerkaj, murgeshat e Shtëpisë së motrave “Bijat e Dashurisë Hyjnore” si dhe besimtarë të shumtë katolikë.

Pasi mori pjesë në meshën e shenjtë të së dielës, të kryesuar nga Arqipeshkvi metropolit Tiranë-Durrës, Imzot George Frendo dhe i dorëzoi famullitarit At Ndue Toplana dekoratën e vlerësimit të Famullisë së Shën Mhillit, Presidenti Meta në fjalën e Tij përshëndetëse u shpreh: 

“Misioni i famullisë shqiptare bazohet mbi karakteristikat themelore: ato ungjillëzuese; misionare; ekumenike dhe ndërfetare.

Famullia e Shën Mhillit në Laç jo vetëm që e ka kryer më së miri këtë mision, por edhe i ka shërbyer shpirtërisht dhe fizikisht komunitetit përmes Ungjillizimit Social, duke dhënë edhe një kontribut të jashtëzakonshëm humanitar dhe material, siç u dëshmua edhe së fundmi me ndihmën e dhënë ndaj familjeve të dëmtuara nga tërmeti i 26 nëntorit, dhe gjatë pandemisë së COVID-19.

Ndaj jam i nderuar t’i akordoj sot Famullisë së Shën Mhillit Dekoratën ‘Nënë Tereza,’ për shembullin e solidaritetit, mirësisë njerëzore dhe fetare.

Te Mateu 19:21 vetë Krishti thotë: ‘Jepu nevojtarëve dhe do të kesh një thesar në parajsë.’

Famullia e Laçit, bashkë me Bijat e Dashurisë Hyjnore, me të gjithë njerëzit e kësaj famullie të përkushtuar ndaj besimit, u shërbejnë njerëzve në nevojë dhe fëmijëve me mencën e të varfërve në të cilën ushqehen deri në 60 fëmijë.

Kisha 150-vjeçare e Shën Mhillit, ndonëse e dëmtuar nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, hapi dyert dhe u bë strehë për banorët, shtëpitë e të cilëve u dëmtuan atë natë, duke treguar një solidaritet të jashtëzakonshëm.

Që nga momenti i parë, pas goditjes së tërmetit, Kisha hapi dyert dhe të gjitha ambientet e saj për të pritur të gjitha familjet e prekura nga ajo fatkeqësi natyrore.

Një grup të rinjsh dhe të rejash nga qyteti u ofruan vullnetarisht në bashkëpunim me këtë Famulli, në shërbim të të prekurve nga tërmeti, duke ofruar të gjitha vaktet ushqimore, veshmbathje dhe gjithë përkujdesjet e të tjera të domosdoshme.

Menjëherë erdhën në ndihmë edhe shumë institucioneve bamirësie, si: ‘Caritasi Dioqezan dhe ai shqiptar’ që përveç ushqimeve, dhuruan edhe shtretër, batanije, dhe materiale të ndryshme për banorët në çadra.

Famullia e Shën Mhillit ka vijuar pa ndërprerje duke u qëndruar pranë të prekurve nga tërmeti, shpirtërisht dhe materialisht.

Ndihma me ushqime u janë dhënë jo vetem njerëzve në nevojë në qytetin e Laçit, por deri në Mamurras, Gurzë dhe Milot.

Gjatë pandemisë janë ushqyer të strehuarit tek Kisha dhe janë shpërndarë në të gjithë Kurbinin ushqime për familjet në nevojë dhe janë kryer shërbime përmes mencës për fëmijët e varfër.

Deri sot, në mencën e Kishës, vazhdojnë të ushqehen rreth 90 banorë të prekur nga fatkeqësia dhe në oborrin e saj, vazhdojnë të qëndrojnë në çadra 6 familje të cilat shpresojmë t’u zgjidhen problemet sa më shpejt.

Unë shpreh mirënjohjen time të thellë ndaj Famullisë, të gjithë atyre të rinjve vullnetarë, institucioneve bamirëse, që, të gjithë së bashku, dëshmuan vlerat më të larta të solidaritetit njerëzor, dhe përkujdesjes shpirtërore dhe fizike.

Por gjithashtu i apeloj autoriteve shtetërore të gjejnë një zgjidhje sa më të shpejtë për të gjitha familjet që vazhdojnë të mbeten të strehuara në çadra, jo vetëm këtu, por kudo që ata ndodhen në zonat e prekura nga ajo fatkeqësi natyrore.

Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza ka thënë: ‘Le t’u shërbejmë atyre në prag të vdekjes, të varfërit, të vetmuarit dhe të padëshiruarit sipas hireve që kemi marrë dhe le të mos kemi turp ose të jemi të ngadaltë për të bërë punën e përulur’.

Famullia e Shën Mhillit i ka shërbyer shpirtërisht dhe fizikisht me përulje dhe përkushtim të gjithë komunitetit, njerëzve të thjeshtë, atyre në nevojë dhe fëmijëve të varfër.

Ky shërbim është akti më human që pasqyron më së miri thirrjen hyjnore, natyrën e dashur e të mëshirshme të Zotit, por edhe duke sjellë shpresë në momentet më të vështira, siç ishte tërmeti apo pandemia, duke dhënë mesazhin e shpresës se dashuria dhe solidariteti njerëzor triumfojnë mbi çdo fatkeqësi.

Unë shpreh mirënjohjen time të thellë edhe për rolin e çmuar që luajnë udhëheqësit por edhe i gjithë kleri i bashkësive tona fetare kanë dhënë në edukimin e fëmijëve dhe rinisë, duke i udhëhequr ata drejt rëndësisë së mbrojtjes së vlerave të familjes, larg veseve, të duan vendin dhe të tjerët, duke i nxitur ata të rriten e të ecin drejt vlerave më të mira njerëzore.

Apelet e vazhdueshme nga bashkësitë tona fetare kanë shërbyer për të ruajtur edhe paqen sociale në komunitet dhe nivel kombëtar, apo për të qenë të bashkuar kundër rreziqeve të mundshme që mund të shkaktoheshin nga krizat e vazhdueshme politike në vend.

Në momentet më kritike të vendit kleri shqiptar ka bërë thirrje për paqe dhe vëlla-dashje, dhe atë që politika ka tentuar ta përçajë besimi e ka ruajtur të bashkuar.

Por thirrjet e paqes dhe të dashurisë nuk kanë qenë kurrë vetëm me fjalë, por me vepra, sikurse është shembulli i solidaritetit dhe përkujdesjes që ka dhënë e vazhdon të japë Famullia e Shën Mhillit.

Bibla e Shenjtë e përmend mbi 300 herë varfërinë dhe se si duhet të përkujdesemi për njerëzit në nevojë.

Kjo na tregon zemrën e dashur dhe të mëshirshme të Zotit, duke na shtyrë që ky solidaritet dhe humanizëm të jetë edhe në zemrat tona, të gjithë ne si individë, bashkësi, por edhe për ata që qeverisin dhe marrin vendime për popujt.

Bibla tek Fjalët e Urta 14:31 thotë: “Kush shtyp të varfërin fyen rëndë Krijuesin, por ai që ka mëshirë për nevojtarin e nderon atë.”

Shqipëria sot po vuan rëndë nga një nivel i lartë i varfërisë, kjo varfëri u shtua në shumë familje shqiptare nga tragjedia e 26 nëntorit si edhe për shkak të pasojave sociale të pandemisë.

Përveç nevojës së madhe shpirtërore, shumë familje shqiptare u nevojitet edhe përkujdesje fizike dhe materiale

Askush nuk duhet të ndihet i shtypur dhe i braktisur, por duhen vënë në zbatim politika më sociale, më përfshirëse dhe të ketë një mbështetje institucionale për të gjitha shtresat në nevojë, duke i siguruar çdo familje në vështirësi strehim, ushqim, punësim, arsimin, dhe përkujdesje shëndetësore.

Ky është një mision fisnik në mbrojtje të integritetit njerëzor dhe nderim për Krijuesin.

Një mision që Famullia e Shën Mhillit e ka kryer e vazhdon ta kryejë me sukses, duke na dhënë një shembull të jashtëzakonshëm humanizmi, solidariteti dhe besimi.

Dhe për këtë ne ju jemi gjithmonë mirënjohës!”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA