Parcela të dyshimta! 200 fara kanabisi, 5 persona shpallen në kërkim/ Pranga kryeplakut dhe dy inspektorëve

06/06/2020 10:54

Dy raste të tentativës për kultivim të bimëve narkotike janë goditur në Tiranë, çka ka sjellë shpalljen në kërkim 5 shtetas që dyshohen se janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Pas monitorimit nga ajri me avion, në një sipërfaqe të dyshuar, në vendin e quajtur “Kroi i Xhepës”, në fshatin Gropaj është konstatuar një sipërfaqe toke e shpyllëzuar, me 4 parcela të vogla të punuara në formë brazdash.

Gjatë kontrollit në një distancë të afërt u gjetën në nje qese, rreth 200 fara dhe 80 kubikë të dyshuar me lëndë narkotike cannabis sativa.

Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasve R. K., Sh. K., R. K., E. K. dhe D. Sh., të cilët dyshohen se janë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Po në lidhje me këtë rast u bë arrestimi i shtetasve: E. N., 41 vjeç, me detyrë kryeplaku i fshatit Gropaj; P. Gj. dhe A. A., me detyrë inspektorë pyjesh, pasi nuk kanë informuar në Polici për territorin që mbulonin.

Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5, gjatë kontrollit të ushtruar në Malin e Zallherrit, në një zonë të pyllëzuar pa rrugë kalimi, u gjetën tri parcela të vogla me 149 rrënjë të mbjella, të dyshuara narkotike cannabis sativa. Ndërkohë po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel