“Jo, nuk është dështim. Nuk bëjmë gjueti shtrigash”, ministri reagon pas vendimeve të SPAK kundër OFL

06/06/2020 11:19

Pas lajmit se SPAK rrëzon OFL-ne, pasi 1 në 3 sekuestrime rezultojnë në kundërshtim me ligjin, vjen edhe reagimi i ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Nga Hani i Hotit ku ishte këtë paradite për inspektim, ministri nuk e quajti këtë gjë një dështim, pasi sipas tij, rastet e kthyera mbrapsht nga SPAK janë kthyer për rivlerësim.

“Edhe rastet ku mund të ketë diçka për t’u diskutuar mund të kthehen sepse ne nuk jemi për të bërë gjueti shtrigash nëpër Shqipëri. Brezit të ri dhe gjithë shoqërisë duhet t’i japim mesazhe që krimi do të goditet dhe nuk do të ketë vend”- tha Lleshaj.

Sipas tij, pavarësisht se “SPAK i kthen për arsye të ndryshme, paplotësim i ndonjë dokumenti, çështjet vazhdojnë dhe do të përballen me gjykatën. Ka edhe raste që mund t’i kenë bërë jo përmes krimit dhe shumë mirë që kthehen mbrapsht nëse nuk e meritojnë”-theksoi ai.

Reagimi i Lleshajt vjen pas lajmit se SPAK i kërkoi Policisë së Shtetit kthimin e 15 pasurive të paluajtshme dhe të 33 automjeteve që ka sekuestruar OFL në kushtet e emergjencës, pasi janë bërë në kundërshtim me kërkesat e aktit normativ nr.1.

Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme ka vendosur që t’i kthehet pasaporta që iu bllokua më 22 prill një qytetari nga Lezha, pasi edhe në këtë rast, bllokimi 6-mujor i dokumentit të identifikimit, me qëllim moslejimin e daljes jashtë shteti, është vlerësuar si i paligjshëm. Në rrethanat kur nga 148 pasuri të dërguara në SPAK për vlerësim sekuestro, 48 konsiderohen të paligjshme, rezulton se 1 në 3 sekuestrime nga OFL-ja janë bërë në kundërshtim me aktin normativ.

“Aktualisht, prokurorët e Prokurorisë së Posaçme, për rastet që Gjykata ka vendosur sekuestro të pasurive janë duke përgatitur kërkesat për konfiskim për t’i paraqitur në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.

Nga 148 pasuri të dërguara për vlerësim sekuestro, 99 pasuri janë automjete dhe 49 janë pasuri të paluajtshme (truall dhe objekte). Gjithashtu, në një rast është dërguar për vlerësim masa e bllokimit të pasaportës, e vendosur në kushte emergjente për një shtetase.

“Prokuroria e Posaçme ka marrë në shqyrtim të gjitha rastet e paraqitura dhe ka dhënë zgjidhje ligjore për të gjitha kërkesat e paraqitura nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, si më poshtë: Janë vlerësuar të ligjshme sekuestrot e bëra nga Policia e Shtetit dhe është kërkuar vendosja e sekuestros nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për 72 pasuri, nga të cilat 15 pasuri të paluajtshme dhe 57 raste automjete.

Është vlerësuar se për 48 pasuri, nga të cilat 15 të paluajtshme dhe 33 automjete, sekuestro në kushtet e emergjencës, apo kërkesa për sekuestrim e paraqitur nga Policia e Shtetit është bërë në kundërshtim me kërkesat e aktit normativ.

Top Channel