Dhunë babait, plagosje, ndërtim i paligjshëm/ 6 të proceduar penalisht në Korçë

06/06/2020 12:15

Gjashtë shtetas janë proceduar penalisht në Korçë, gjatë 24 orëve të fundit për vepra të ndryshme penale.

Bëhet fjalë për:

• R. D., 25 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit që shërbimet e policisë kanë ushtruar në mjetin tip “Benz” në përdorim të këtij shtetasi, iu gjetën 3 shkopinj gome të ngjashëm me ata të Policisë si edhe një shkop druri me gjatësi 51 cm, të cilat iu bllokuan në cilësinë e provës materiale.

• B. H., 27 vjeç, banues në fshatin Gjonomadh, pasi ky shtetas ka shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, dhe është kapur nga policia jashtë banesës së tij.

Si edhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë ndaj shtetasit:

• M. K., 54 vjeç, banues në Korçë, pasi në lagjen nr. 4, në pallatin në pronësi të tij u konstatuan punime ndërtimi pa lejen përkatëse.

Në Kolonjë, specialistët për hetimin e krimeve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit:

• F. S., 30 vjeç, banues në fshatin Selenicë, pasi në banesë ky shtetas dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj babait të tij shtetasit S. S., 57 vjeç.

Në Pogradec, specialistët për hetimin e krimeve filluan procedimin penal ndaj shtetasve:

• E. A., 35 vjeç, banues në Tiranë, pasi në lagjen nr. 2, për motive të dobëta ky shtetas ka goditur me grushta dhe shkelma shtetasin V. N., 36 vjeç, banues në Pogradec.

• D. R., 42 vjeç, banues në fshatin Gështenjas, pasi në lagjen nr. 1, ky shtetas u kap duke kryer punime ndërtimi pa lejen përkatëse.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë dhe Pogradec për veprat penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”, “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, “Ndërtimi i paligjshëm”, “Dhuna në familje” dhe “Plagosja e lehtë me dashje”.

Top Channel