Suedia ofron testim falas për këdo që ka simptoma të koronavirusit

05/06/2020 04:30

Të enjten Suedia tha se do të sigurojë testim falas, për këdo që ka simptoma të koronavirusit dhe do të kryejë gjurmime të kontakteve, të atyre që janë të infektuar. Qëllimi i programit të ri të testimit është të kontrollojë shkallët e infeksionit në vend. Suedia nuk ka zbatuar masa të rrepta të izolimit, sikurse shumë vende evropiane.

Qeveria tha se programi i testimit do të kushtojë 640 milionë dollarë. “Tani e tutje, të gjithë personat me simptoma do të jenë në gjendje të testohen pa kosto për COVID-19”, tha ministri i Financave në Suedi, Per Bolund. Njoftimi u bë, pasi autoritetet e këtij vendi thanë se do të lejojnë udhëtimin e brendshëm nëpër të gjithë vendin, gati tre muaj pasi një gjë e tillë u kufizua si pjesë e masave kundër pandemisë.

“Situata është ende serioze. Ky njoftim nuk do të thotë që rreziku ka kaluar. Nuk do të thotë që jeta të kthehet në normalitet”, tha kryeministri suedez, Stefan Lofven. Suedia ka raportuar gati 42,000 raste me COVID-19, sëmundja që shkaktohet nga koronavirusi, dhe më shumë se 4500 vdekje. Me përjashtim të një ndalese të tubimeve publike të më shumë se 50 personave dhe vizitave në shtëpitë e të moshuarve, shumica e masave të izolimit në Suedi, nuk kanë qenë ligjërisht të detyrueshme.

Drejtuesit e vendit kanë theksuar në mënyrë të përsëritur se lufta kundër virusit është një “maratonë, jo një sprint”. Por, qasja e tyre është kritikuar brenda dhe jashtë vendit, veçanërisht pasi vdekjet tejkaluan ato në vendet fqinje, të cilat vendosën masa më të rrepta, raporton AFP. Këtë javë, epidemiologu shtetëror suedez, Anders Tegnell, pranoi se kishte hapësirë për përmirësime në qasjen e vendit ndaj pandemisë dhe se shkalla e vdekshmërisë ishte shumë e lartë./REL

Top Channel