Policia përplas të moshuarin në tokë, shpërthejnë sërish amerikanët!

05/06/2020 16:02

U duk se protestat që nxiti vdekja e 46-vjeçarit George Floyd në duart e policisë po zbuteshin në SHBA, por një video ku shihej se si policia kishte përplasur në tokë një të moshuar e pastaj nuk ndërhynin për ta ndaluar, i ka përshkallëzuar tensionet sërish.

Burri 75-vjeçar u ishte afruar forcave të rendit, por një efektiv e ka shtyrë fort. Ai ka rënë me shpinë e ka përplasur kokën në tokë; ndonëse i rrjedh gjak, policët nuk ulen ta ndihmojnë. Videoja u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale duke shkaktuar indinjatë.

Ngjarja ndodhi në Buffalo. Policia fillimisht kishte deklaruar se një person ishte lënduar pasi qe penguar e kishte rënë, por filmimet nxorën në pah një tjetër skenar. Tanimë për ngjarjen do të nisë një hetim i brendshëm. Dy efektivë janë pezulluar, por zemërimi mes njerëzve është rritur sakaq sërish.

Polici që vuri gjurin në qafën e Floyd-it po përballet me akuza për vrasje me qëllim të shkallës së dytë dhe vrasje pa paramendim. Tre policë të tjerë përballen me akuza për ndihmë në kryerjen e vrasjes. Ceremonia e varrimit të afrikano-amerikanit George Floyd do të mbahet të martën në qytetin e tij të lindjes, Hjuston.

Sharpton në ceremoninë përkujtimore të së enjtes tha se ai po organizon një marshim në Uashington që do të mbahet më 28 gusht, 57 vjet pasi Martin Luther King Jr. udhëhoqi një marshim dhe bëri histori me fjalimin e tij ikonik “Unë kam një ëndërr”, që ishte i mbushur me një mesazh të barazisë për njerëzit e të gjitha racave dhe besimeve.

Top Channel