Kanada, akuza dhune e paaftësie ndaj policisë pas vdekjes së dy grave me ngjyrë

05/06/2020 18:05

Policia në Kanada është vënë nën lupën e mediave dhe opinionit publik pas vdekjes së dy grave nga minoritetet etnike gjatë konfrontimeve me policinë. Të dyja viktimat vuanin nga probleme mendore.

Lajmi vjen në kohën kur rrugët në SHBA janë të mbushura me protestues kundër dhunës së policisë ndaj komuniteteve minoritare e racore, të nxitura nga vdekja e George Floyd.

Kryeminsitri Justin Trudeau tha dje se po i ndiqte me “tmerr” ngjarjet në SHBA dhe shtoi: “Ne e dimë se ka shumë punë për të bërë dhe këtu në Kanada”.

Kanadezja 29 vjeçare Regis Korchinski-Paquet, me origjinë afro-indigjene nga Toronto, vdiq më 27 maj kur nëna e saj telefonoi policinë për ta çuar në një institucion të shëndetit mendor pas një konflikti që kishte me të.

Por kur oficerët erdhën në apartamentin e tyre në katin e 24-rt, Korchinski-Paquet ra për vdekje nga ballkoni.

Policia nuk ka dhënë detaje për incidentin por familja e Korchinski-Paquet tha se vdekja e saj erdhi si rezultat i ndërhyrjes së ashpër dhe jo-profesionale të policisë.

Ndërsa të enjten në Edmundston, New Brunswick policia iu përgjigj një telefonate për persona me probleme mendore në lidhje me 26 vjeçaren kanadeze nga popullsia etnike indigjene Chantel Moore, e cila u vra me armë nga oficerët pasi raportohet se kishte sulmuar një prej tyre me thikë.

Vdekja e parakohshme e dy grave nga minoritetet racore vendase ka ngritur shumë pikëpyetje për aftësitë apo trajnimin e policisë në qetësimin e situatave të tensionuara.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel