OBSH “del bllof” me hidroksiklorinën, rinisin testimet!

04/06/2020 16:26

Shumë pyetje janë ngritur mbi studimin që pretendonte se hidroksiklorina ka shtuar nivelin e vdekshmërisë dhe problemet e zemrës te pacientët me Covid-19, arsye për të cilën dhe u ndalua nga OBSH-ja.

Kjo e fundit, thotë “The Guardian”, do të rifillojë testet klinike mbi ilaçin e përdorur kundër malarias e për të cilin shkencëtarët shpresojnë se mund të trajtojë Covid-19. Ishte vetë OBSH-ja që mbështetur, siç tha, në studimin e “The Lancet”, vendosi t’i ndalonte testime të tilla. A mos vallë u nxitua, pyesin tani ata që varën shumë shpresa tek ky mjekim.

Vetë presidenti amerikan Donald Trump i kishte trumpetuar me të madhe vetitë e saj, duke thënë se po e përdorte edhe ai si masa parandaluese ndaj koronavirusit. “The Lancet” dilte në përfundimin se hidroksiklorina qe shoqëruar me shkallë të lartë vdekshmërie, por mbi studimin e saj u ngritën pyetje serioze.

“The Guardian” nisi vetë një hetim, gjatë të cilit u vunë re mospërputhje të mëdha të dhënash. Gazeta prestigjioze britanike ngriti pyetjen sesi i mblodhi studimi të dhënat e 96,000 pacientëve në qindra spitale, në një kohë kur spitalet kryesore mohojnë të jenë lidhur me database-n e menaxhuar nga një kompani e quajtur Surgisphere, shefi ekzektutiv i të cilës, Dr Sapan Desai, rastis të jetë gjithashtu bashkëautor i “The Lancet”.

Top Channel