Lajçak në qershor viziton Prishtinën e Beogradin/ Pritet marrëveshje, pa prekje të kufijve!

04/06/2020 16:17

Përfaqësuesi i Posaçëm i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajcak, planifikon që të vizitojë Prishtinën dhe Beogradin gjatë muajit qershor, për të përgatitur terrenin për rinisjen e dialogut mbi normalizimin e raporteve mes dy shteteve.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar burime diplomatike në Bruksel për televizionin publik të Serbisë, thotë Express.

“Në Bruksel presin që të ketë rinisje të dialogut pa vonesa dhe thonë se arritja e një marrëveshje finale është çështje muajsh dhe jo vitesh. Ndryshimi i kufijve nuk ka mbështetje në rajon dhe as Bashkimi Evropian nuk e sheh si një zgjidhje të problemit mes Prishtinës dhe Beogradit”, pohon i njëjti burim brenda BE-së.

Ndërkohë, thuhet se edhe nëse takimi i parë Prishtinë-Beograd mund të mos zhvillohet përgjatë muajit qershor, ai do të mbahet në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian dhe do të përqendrohet në dy qëllime kryesore.

“Zbatimin e marrëveshjeve të arritura deri tani dhe arritja e një marrëveshje përfundimtare për normalizim të raporteve mes Prishtinë dhe Beogradit” ka thënë zyrtari në fjalë, sipas të cilit ujdia finale mund të arrihet brenda disa muajsh.

Top Channel