Hoti si kryeministër/ Mustafa: Bojkotimi i Vjosa Osmanit dhe Albin Kurti nuk iu bëri punë

04/06/2020 10:07

Pas marrjes së detyrës si kryeministër i Kosovës të Avdullah Hotit, ka reaguar kreu i LDK, Isa Mustafa për mos dorëzimin e detyrës nga Kurti dhe jo vetëm.

Kryetarit të LDK-së nuk i ka pëlqyer aspak që kolegia e partisë së tij nuk e udhëhoqi seancën e Kuvendit të Kosovës.

Isa Mustafa ka thënë se bojkotimi i seancës nga ana e Vjosa Osmanit paraqet ikje nga përgjegjësia dhe veprim të paprecedent.

Ai ka disa fjalë edhe për ish-kryeministrin Albin Kurti që nuk i dorëzoi detyrën Avdullah Hotit.

“Sot, Albin Kurti i iku përgjegjësisë t’ia dorëzojë detyrën Kryeministrit Hoti. Deklarata e tij se nuk ia dorëzon detyrën njeriut qe e ka shkarkuar është e ulët dhe e pasaktë. Në fakt para se ta shkarkonte z. Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë, Kurti e shkarkoi vetëveten me votën e mbi 2/3 të deputetëve”, shkruan ai.

Reagimi i Isa Mustafës

Bojkotimi i bashkërenditur i znj. Vjosa Osmani, Kryetare e Kuvendit dhe z. Albin Kurti, ish Kryeministër, nuk iu bëri punë.

E para iku nga përgjegjësia ta drejtojë seancën e Kuvendit, në të cilën bashkëpartiaku i saj i LDK-së do të votohej për Kryeministër, kurse partia e saj, LDK, ku akoma është nënkryetare, do ta drejtonte koalicionin qeverisës. Veprim i papresedan dhe i papërgjegjshëm.

Sot, Albin Kurti i iku përgjegjësisë t’ia dorëzojë detyrën Kryeministrit Hoti. Deklarata e tij se nuk ia dorëzon detyrën njeriut qe e ka shkarkuar është e ulët dhe e pasaktë. Në fakt para se ta shkarkonte z. Hoti nga pozita e zëvendëskryeministrit të parë, Kurti e shkarkoi vetëveten me votën e mbi 2/3 të deputetëve.

Pamja e mëngjesit të sotëm e Kryeministrit Hoti, në ceremonin e nderit të njësisë së FSK-së, flet qartë se para tij nuk kishte Kryeministër. Sepse çdo kryeministër me sjellje normale do t’ia dorëzonte detyrën pasardhësit të tij. Isa Mustafa

Top Channel