Trump zotohet t’i jap fund dhunës në SHBA, Biden thotë se vendi ka nevojë për ‘udhëheqje’

03/06/2020 04:34

Presidenti amerikan Donald Trump është zotuar t’i jap fund “trazirave dhe veprimeve të paligjshme” në të gjithë vendin, por përleshjet midis policisë dhe protestuesve shpërthyen për një natë të shtatë të hënën, madje edhe pasi kryebashkiakët e qyteteve të mëdha vendosën masa të ndalim qarkullimit për të mos lejuar daljen e njerëzve në rrugë dhe dislokimit të Gardës Kombëtare për shuarjen e protestave të dhunshme.

Demonstratat shpeshherë paqësore, të nxitura nga vdekja nën arrest javën e kaluar e një afrikano-amerikani në Mineapolis të Minesotës degjeneruan në konfrontimet të dhunshme mes protestuesve dhe policisë në disa qytete në mbrëmje. Por, Presidenti Trump të martën në mëngjes deklaroi në Twitter: Uashingtoni “nuk kishte probleme natën e kaluar. Shumë arrestime. Punë e shkëlqyer nga të gjithë. Forca mbizotëruese. Dominim. Edhe Mineapolisi ishte i shkëlqyeshëm (faleminderit President Trump!) ”

Ish Nënpresidenti Joe Biden, rivali i supozuar demokrat i Presidentit Trump në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, sulmoi reagimin e udhëheqësit amerikan ndaj dhunës një javore, mbase trazirave civile më të përhapura në vend që nga protestat e mëdha kundër luftës së Vietnamit në vitet 1960. “Vendi po qan për udhëheqje”, tha Biden në Filadelfia. “Udhëheqje që mund të na bashkojë, udhëheqje që na bashkon. Udhëheqje që mund të njohë dhimbjen dhe pikëllimin e thellë të komuniteteve që kanë pasur një gju në qafë për një kohë të gjatë.” “Unë nuk do ta çojë vendin drejt frikës dhe përçarjeve”, premtoi Biden.

Gaz lotsjellës, plumba gome
Në Uashington të hënën, policia përdori gaz lotsjellës dhe plumba gome për të shpërndarë protestuesit paqësorë në një shesh afër Shtëpisë së Bardhë pak para se të hynte në fuqi masa e ndalim qarkullimit në mbrëmje. Pak kohë më vonë, Presidenti Trump bëri një shëtitje të shkurtër nëpër shesh dhe bëri një fotografi përpara Kishës Episkopale të Shën Gjonit, të dëmtuar nga zjarri i shkaktuar nga protestat e një dite më parë. Kisha Episkopale e Shën Gjonit njihet edhe si “kisha e presidentëve” për shkak të frekuentimit të saj nga presidentët amerikanë.

Presidenti Trump mbajti në dorë një Bibël, deklaroi Shtetet e Bashkuara si “vendin më madhështor në botë” dhe tha se: “ne do ta mbajmë (vendin) të sigurt”. Më parë, në Shtëpinë e Bardhë, Presidenti Trump u zotua se “nëse një qytet ose një shtet refuzon të ndërmarrë veprimet e nevojshme për të mbrojtur jetën dhe pronën e banorëve të tyre, atëherë unë do të disokoj ushtrinë e Shteteve të Bashkuara dhe do ta zgjidh shpejt problemin për ta”.

Presidenti Trump tha se ai “po mobilizonte të gjitha burimet e mundshme federale, civile dhe ushtarake, për të ndalur trazirat dhe plaçkitjet, për t’i dhënë fund shkatërrimit dhe zjarrvënies dhe për të mbrojtur të drejtat e amerikanëve që respektojnë ligjin, përfshirë këtu edhe të drejtat tuaja të Amandamentit të Dytë”. Amandamenti i Dytë i Kushtetutës së Shteteve të Bashkuara mbron të drejtat e të gjithë shtetasve amerikanë për armëmbajtje.

Fotografia para kishës shkaktoi reagime
Përdorimi i kishës nga Presidenti Trump si një sfond për fotografinë shkaktoi një reagim të ashpër nga udhëheqësja e dioqezës Episkopale të Uashingtonit, Mariann Budde. Ajo tha se Presidenti Trump “thjesht përdori një Bibël dhe një kishë të dioqezës time si një sfond për një mesazh që është në kundërshtim me mësimet e Jezusit dhe gjithçka që mbështet kisha jonë. Për ta bërë këtë, ai miratoi përdorimin e gazit lotsjellës nga oficerët e policisë për për të pastruar oborrin e kishës. Çdo gjë që ai ka thënë dhe ka bërë është në shërbim të nxitjes së dhunës”, tha ajo.

Zoti Biden tha, “ai po përdor ushtrinë amerikane kundër popullit amerikan. Ai përdori gazin lotsjellës kundër protestuesve paqësorë dhe qëlloi me plumba gome. Për një foto. Për fëmijët tanë, për vetë shpirtin e vendit tonë, ne duhet ta mposhtim atë.”

Rubio fajëson ‘agjitatorët’
Megjithatë, senatori republikan nga Florida, Marco Rubio shprehu një këndvështrim tjetër për veprimin e policisë në shesh, duke pretenduar se “agjitatorët profesionistë” po paraqiteshin si protestues paqësorë dhe mediat u bënë pre e taktikave të tyre “të paramenduara”. “Ata e dinin që rruga duhej të pastrohej para orës 7 në mbrëmje”, tha Rubio në një postim në Twitter. “Por ata qëllimisht qëndruan për të shkaktuar reagimin e policisë dhe për të krijuar historinë që ata dëshironin, se ‘policia sulmoi protestuesit paqësorë’”.

Si u nxitën protestat?
Demonstratat filluan një javë më parë në Mineapolis, ku George Floyd, një 46 vjeçar afrikano-amerikan, vdiq në një rrugë të qytetit pasi një polic i bardhë i vuri gjurin në qafë ndërkohë që Floyd thoshte se nuk mund të merrte frymë. Ekzaminuesi mjekësor i Qarkut Hennepin të Minesotës vendosi që vdekja e zotit Floyd-it ishte një vrasje dhe tha se ai vdiq nga “arresti kardiopulmonar i shkaktuar nga veprimi i policëve që e ndaluan atë dhe i shtrenguan qafën.” Një autopsi e pavarur e porositur nga familja e zotit Floyd nxorri përfundimin se ai vdiq nga “asfiksimi (i shkaktuar) nga presioni i vazhdueshëm” në qafë dhe shpinë.

Një vizitë tjetër në kishë
Të martën, Presidenti Trump, i shoqëruar nga zonja e parë Melania Trump, po planifikon një vizitë tjetër fetare, Kishën Kombëtare Katolike Shën Gjon Palit të Dytë, që ndodhet afër Shtëpisë së Bardhë. Presidenti, sipas zyrtarëve të Departamentit të Mbrojtjes, ka urdhëruar dislokimin e një batalioni të policisë ushtarake në Uashington, zona e vetme juridike, ku ushtria mund ta bëjë këtë pa u këshilluar më parë me guvernatorin e një shteti.

Mobilizohet Garda Kombëtare
Të gjitha forcat prej 1200 anëtarësh të Gardës Kombëtare në kryeqytetin amerikan janë mobilizuar. Sipas zyrtarëve, pesë shtete po dërgonin me shpejtësi nga 600 deri në 800 ushtarakë të tjerë, disa të armatosur me armë vdekjeprurëse. Forca të tjera ushtarake në shërbim aktiv, ndër to polici ushtarake dhe njësi xheniere, janë vendosur në gatishmëri përreth Distriktit të Kolumbias dhe mund të sillen nëse do të lindë nevoja, njoftuan zyrtarët.

Në orët e vona të së hënës, një helikopter Black Hawk i ushtrisë amerikane fluturoi mbi çatitë e lagjes historike Chinatown të Uashingtonit në një manovër “demonstrimi force”, duke i detyruar protestuesit të shpërndahen për të shmangur pluhurin dhe sendet që ngrinin helikat e helikopterit, që thyen edhe degët e pemëve. Më herët të hënën, Presidenti Trump qortoi guvernatorët e Shteteve të Bashkuara, duke u thënë atyre që të tregoheshin më të ashpër me protestuesit. “Shumica prej jush janë të dobët,” u tha presidenti atyre, sipas një audio regjistrimi të bisedës telefonike. “Ju duhet të dominoni. Nëse nuk dominoni, po e humbni kohën tuaj. Ata do t’ju shkelin, ju do të dukeni keq.”

Kritikohet reagimi ndaj protestave
Presidenti Trump po përballet me kritika për mos ndjekjen e rolit tradicional presidencial të “kryengushëlluesit” që nga vdekja e zotit Floyd, e cila ka shkaktuar një derdhje kombëtare të agonisë dhe zemërimit. Në vend të kësaj, Presidenti ka shpenzuar kohë në Twitter duke sulmuar zotin Biden, politikanë të tjerë demokratë dhe duke i krahasuar ata me radikalët e majtë që ai fajëson për dhunën e ditëve të fundit./VOA

Top Channel