Protestat vazhdojnë në të gjithë Shtetet e Bashkuara pas vdekjes së George Floyd-it, afrikano-amerikanit që ishte ndaluar nga policia në Minneapolis. Aktivistët shpjegojnë se marshimet që po shohim në mbarë vendin, nuk janë kundër një vdekjeje të vetme.
Në të ashtuquajturin metropol të Dy Qyteteve (Minneapolis dhe Saint Paul), një aktivist thotë se njerëzit që shohim të marshojmë nuk kanë dalë kundër një vdekjeje të vetme.
“Ka qenë një akumulim; shumë meshkuj afrikano-amerikanë janë vrarë nga oficerët e policisë. Ajo që po ndodh është se që atëherë ka shumë zemërim; shumë oficerë nuk janë hequr nga puna, nuk janë akuzuar për këto vrasje”, thotë K.G. Wilson, një aktivist i hershëm për paqen në Minneapolis. Wilson, i cili ka qenë një udhëheqës i komunitetit në Minneapolis për 20 vjet, tha se protestuesit duhej të ishin të kujdesshëm që të mos lëndonin fqinjët e tyre gjatë reagimit. Wilson shpjegoi se shkatërrimi dhe trazirat që kanë rrethuar zonën e Dy Qyteteve kishin detyruar dyqanet të mbyllen, duke ndërprerë kështu furnizimin me produkte jetësore për banorët e Minneapolisit, veçanërisht për të moshuarit dhe më të varfërit.
“Dalim tani për të ushqyer komunitetin. Njerëzit që jetojnë në këtë komunitet nuk mund të shkojnë në dyqane. Dyqanet janë mbyllur të gjitha. Nëse shikoni përreth do shihni se janë gjithë qepenat e mbyllura. Të gjitha dyqanet. Lavanderitë – nuk mund të shkoni të lani rrobat. Farmacitë CVS, Walgreens, ku shkojnë të moshuarit tanë për të marrë ilaçet janë të mbyllura. Ata nuk mund të shkojnë për të marrë ilaçet e tyre. Dyqanet ushqimore – nuk mund të shkojnë të marrin ushqimin e tyre. Kjo na shtyn të dalim dhe të ushqejmë njerëzit në komunitet”, thotë ai.
Sipas zotit Wilson, valët e emocioneve që nxisin protestat në Minneapolis dhe në të gjithë vendin nuk do të trajtohen lehtë ose shpejt, duke pasur parasysh rrënjët e tyre në histori. “Mendoj se edhe sikur këta persona, këta oficerë, të dënohen, të akuzohen dhe të dërgohen në burg, njerëzit ende do të duhet të shërohen. Kështu që do të duhet kohë. Mendoj se disa nga njerëzit që janë të zemëruar dhe duke protestuar tani, janë akoma të zemëruar nga disa nga vrasjet e tjera nga policia. Pra, para se të mund të shërohen nga të mëparshmet, ndodh një tjetër”, tha Wilson./VOA
Top Channel